“Nuk mund të jetoj pa të!”: Pse burrat janë më të rrezikuar se gratë të vdesin nga pikëllimi

Cila është gjëja më e keqe që imagjinoni se mund t’ju ndodhë? Për shumë njerëz, kjo është vdekja e bashkëshortit/es së tyre.

Prandaj, shumë njerëz përjetojnë pikëllim, stres dhe efekte negative mbi shëndetin e tyre fizik kur vdes partneri i tyre. Megjithatë, të tjerët mbeten kryesisht të paprekur nga një ngjarje kaq tragjike.

Se cilët faktorë përcaktojnë se si dikush ndikohet nga vdekja e bashkëshortit të tyre nuk është kuptuar mirë në kërkimet psikologjike. Një dukuri që vihet re zakonisht në kontekstin e vdekjes së një bashkëshorti, është i ashtuquajturi “Efekti i Vejushës”.

Ky efekt supozon se nëse vdes njëri bashkëshort, tjetri ka një mundësi më të madhe për të vdekur gjithashtu, krahasuar me njerëzit e tjerë të së njëjtës moshë. Efekti i Vejushës, bazohet tek fakti se vdekja e një bashkëshorti është një ngjarje shumë stresuese e jetës, e cila rrit mundësinë e ngjarjeve shëndetësore negative si sulmet në zemër tek partneri që ka mbetur vetëm.

Tani një studim i sapo-publikuar në revistën shkencore “PLOS ONE”, analizoi nëse Efekti i Vejushës mund të ndikohet nga gjinia e bashkëshortit të mbijetuar. Në studimin e udhëhequr nga shkencëtari Aleksandros Kaciferis nga Universiteti i Kopenhagës në Danimarkë, ekipi hulumtues vëzhgoi të dhënat e marra nga një studim i gjerë danez mbi më shumë se 900.000 njerëz mbi moshën 65 vjeç.

Shkencëtarët analizuan sasinë e parave të shpenzuara për kujdesin shëndetësor nga personat që pësuan humbjen e një bashkëshorti, dhe shumën e shpenzuar nga njerëzit që nuk patën një ngjarje të tillë tragjike në jetën e tyre. Ky vlerësim synoi të kuptonte nëse vdekja e bashkëshortit/es shoqërohej me shtimin e problemeve shëndetësore.

Po ashtu, studiuesit analizuan nëse njerëzit që përjetuan humbjen e bashkëshortit të tyre, kishin një probabilitet më të lartë për të vdekur, në krahasim me njerëzit që nuk e humbën bashkëshortin e tyre. Në përgjithësi, rreth 8.4 për qind e njerëzve në studim përjetuan humbjen e bashkëshortit të tyre.

Rreth 65.8 për qind e këtyre njerëzve që humbën bashkëshortët ishin gra, gjë që tregon se mesatarisht, burrat vdesin më herët se sa gratë. Edhe për sa i përket kostove të kujdesit shëndetësor, kishte një dallim të qartë midis burrave dhe grave.

Meshkujt që e humbën bashkëshorten shpenzonin mesatarisht 42 euro në javë më shumë, ndërsa për gratë e mbetura vejusha rritja ishte vetëm 35 euro, gjë që sugjeron se meshkujt kanë më shumë probleme shëndetësore pas vdekjes së bashkëshortes sesa femrat.

Një ndryshim midis burrave dhe grave u vu re edhe në lidhje me mundësinë e vdekjes së hershme pas vdekjes së bashkëshortit. Por këtu ndikonte edhe mosha. Shkencëtarët zbuluan se në mesin e atyre që janë 65-69 vjeç, burrat kishin 70 për qind më shumë gjasa të vdisnin në vitin e parë pas vdekjes së bashkëshortes së tyre.

Për gratë në të njëjtën grupmoshë, rritja ishte shumë më e ulët, vetëm 27 për qind. Ky model

i përgjithshëm i meshkujve që kanë një probabilitet më të madh për të vdekur shumë shpejt pas vdekjes së bashkëshortit të tyre, mbeti i njëjtë në të gjitha grupmoshat e tjera në studim (70-74 vjeç, 75-79 vjeç, 80-84 vjeç, dhe më të moshuar se 85), por në përgjithësi përqindjet u ulën me rritjen e moshës.

Të marra së bashku, të dhënat e studimit tregojnë se burrat e moshës 65-69 vjeç janë më të prekur nga Efekti i Vejushës. Nisur nga gjetjet e studimit, shkencëtarët sugjeruan se ato pasqyrojnë rritjen e problemeve tek meshkujt që kthehen në një gjendje normale dhe funksionale, pasi kanë përjetuar humbjen e bashkëshortes së tyre. Gratë duket se tregojnë një rezistencë më të lartë ndaj stresit në një situatë të tillë, dhe kanë mekanizma më të mirë të përballimit psikologjik për t’iu rikthyer jetës normale.

Këto gjetje sugjerojnë qartë se burrat (dhe gratë), që përjetojnë humbjen e bashkëshortit të tyre, duhet të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga familja, miqtë apo një terapist për t’u përballur me stresin dhe pikëllimin dhe jo “ta vështirësojnë atë”. / “Psychology Today” – Bota.al