Aksion policor në Tiranë, ndalohet Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist

Pas një aksioni policor, është ndaluar me makinë të blinduar Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS, Rahman Rraja.  Aksioni policor është zhvilluar në Qafe-Kashar. Deri më tani nuk dihet se për çfarë është ndaluar Rraja.

Kujtojmë se Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë. Rraja më shumë se një vit më parë ka dhunuar barbarisht një grua te QSUT. Ai gjithashtu u rikthye në qendër të vëmendjes pas publikimit të një video ku shfaqet në një lokal në Fushë-Krujë me kallashnikov, duke terrorizuar klientët. Pas publikimit të lajmit, Rraja, nga Dubai mohoi të kishte qenë ai, duke thënë se policia merr ryshfet për të terrorizuar familjen e tij.

Ndaj Rrajës gjithashtu rëndon akuza e trafikimit të drogës, nga autoritetet belge, që kanë kërkuar dënimin e tij me 8 vite burg.

Sipas dosjes së prokurorisë belge, banda trafikonte kokainë nëpërmjet Antwerp-it dhe më pas e shpërndante në të gjithë Europën Perëndimore si dhe në Turqi e deri në Australi.

Ai gjithashtu u përfol për përfshirje në masakrën e Fushë-Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata. Ai reagoi për mediat dhe mohoi përfshirjen.

“Nuk kam asnjë lidhje me krimin, ndodhem jashte vendit. Per shtate muaj ne Shqiperi kam qendruar vetem 3 dite kur kam vizituar familjen. Policia po me sulmon qellimisht me akuzon padrejtesisht per cdo krim”, tha Rraja aso kohe./albeu.com


Shtuar 15.11.2022 13:49