Reja: Çudi që në Shqipëri nuk ka filluar futbolli

Edi Reja është i habitur pse futbolli nuk po nis në vendin tonë. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka rrëfyer si po kalon këto ditë izolimi, planet me Kombëtaren, si dhe lojtarët e rinj që kishte ndërmend të grumbullonte në miqësoret që nuk u zhvilluan në mars.

“Edhe pse kjo javë u mendua si një javë lirie, pothuajse e njëjta gjë ndodhi. Me të njëjtat kushte dhe përkujdesje dal jashtë dhe me normat e vendosura të sigurisë. Por mund të them që në vend të shkonte bashkëshortja ime për të bërë pazarin shkova unë, ky ishte ndryshimi.

Bëra një xhiro me biçikletë, rreth 20 kilometra, këtu afër në provincën e Goricias, sepse kam fat që jetoj këtu. Unë qëndroj në shtëpi prej rreth dy muajsh, por e ndjej veten me fat sepse kam një bahçe dhe jam marrë me lulet gjatë gjithë kësaj periudhe. Dhe si për çudi në këtë vit kanë çelur shumë lule të bukura.

Ashtu si ndodh zakonisht, kur gjërat bëhen me dashuri edhe frytet janë të mira”, ka thënë fillimisht Reja në një intervistë për “TCH”.

Miqësoret dhe risitë – Reja zbulon edhe lojtarët që kishte ftuar për miqësoret e marsit, të cilat nuk u zhvilluan. Bëhet fjalë për Florian Kamberin e Rejnxhërsit, Armando Brojën i Çelsit, Endri Çekiçin e Olimpia Lubjanës, Qazim Laçin e Ajaksos dhe Jon Mersinajn e Lokomotiv Zagrebit.

“Më vjen keq që nuk zhvilluam dot dy ndeshjet miqësore me Slloveninë dhe San Marinon. Kisha marrë 5-6 lojtarë të rinj, si Laçi, Mersinaj, Çekiçi, Kamberi dhe Broja. I kisha grumbulluar për t’i parë, prandaj dhe për këtë gjë më vjen keq që nuk munda. Nga ana tjetër më mungon Shqipëria dhe doja të vija në Tiranë në këtë periudhë, aq më tepër që do të ndryshojmë edhe zyra dhe do të më duhej të sistemoja zyrën e re.

Gjithashtu kishim edhe disa bisedime me trajnerët e ekipeve të moshave të kombëtareve dhe jo vetëm, sepse unë kam hartuar së bashku me stafin tim një projekt për të përmirësuar nivelin teknik.

Së bashku me mua janë edhe ndihmësit e mi, që secili në sektorin e vet, nga mjekët tek videoanalistët, po përpiqemi të nxjerrim elementë të rinj. Gjithçka ishte programuar për këtë periudhë por ndodhi kjo dhe u stopua”.

Futbolli në Shqipëri – “Mua më duket e çuditshme se si në Shqipëri nuk ka ende një sinjal se kur mund të rifillojnë stërvitjet dhe ndeshjet. Një vend me më pak njerëz të prekur dhe me më pak rrezik se Italia apo vendet e tjera në Europë, ende nuk kanë asnjë sinjal për futbollin.

Mund të gjendet një zgjidhje se në disa shtete të tjera, unë kam folur me disa nga lojtarët dhe ata kanë filluar stërvitjen në grupe.

Për mendimin tim Shqipëria duhet të kishte rifilluar, pasi për fat të mirë nuk ka kaq shumë raste. Sigurisht duke marrë masat e nevojshme, sepse shëndeti është mbi të gjitha.

Në Itali ndoshta mund të rifillojë futbolli në qershor, por të paktën kanë filluar që tani të provojnë. Në këtë situatë më ka ndryshuar edhe mua shumë puna. Fakti që nuk luajnë skuadrat dhe nuk stërvitem, edhe unë s’kam ku të shkoj dhe të shoh. I kisha lënë shumë takime me lojtarë që do të shkoja t’i shihja si Kamberin apo Laçin që nuk i kam ndjekur.

Më mungon shumë kjo pjesë e punës time. Ka shumë të tjerë që i kam parë më parë, por tani nuk di se si janë. Përndryshe do të na duhet të shihemi direkt në shtator”.


Shtuar 5.05.2020 21:35