Manastirliu shpërndan mesazhin e mjekut: Koronavirusi po mundet, por nuk është asgjësuar

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar një video-mesazh të njërit prej mjekëve, i cili po i shërben personave të prekur me koronavirus në spitalin Infektiv.

“Doktor Krenar Lilaj, në vijën e parë të përballjes me #COVID19, ka kryer një punë të lavdërueshme për koordinimin e shërbimit të anestezi reanimacoinit në dy spitalet #COVID.

Sot mjeku i njohur ka një mesazh për të gjithë qytetarët: Të tregohemi të kujdesshëm, të zbatojmë rregullat e distancimit fizik dhe sidomos të higjienës, sepse vetëm kështu mund t’i rikthehemi normalitetit të plotë. #KrenarePërMjekët #BASHKË”, shkruan ministrja.

Mesazhi i plotë i mjekut:

Vetëm pak muaj më parë na u desh të përballeshim me një nga periudhat më të vështira të gjithsecilit. Jeta shoqërore ngriu, ekonomia u paralizua, ndërsa ne mjekët duhet të luftonim me një sëmundje të panjohur, që në botë po merrte shumë jetë. Në sajë të ndihmesës jo vetëm të mjekëve, por edhe të gjithë stafit mjekësor, mjaft pacientë u shëruan.

Me keqardhje mund të them se pati edhe humbje, por na u desh të luftonim me një sëmundje, që në disa raste ishte mjaft e vështirë për t’u trajtuar. Megjithatë, falë dhe sakrificës së mjekëve dhe stafeve mjekësore, mbështetjes së qeverisë dhe qytetarisë që treguan të gjithë, duket se e keqja po kalon. Tashmë dalëngadalë po i rikthehemi normalitetit. Njerëzit po i kthehen punës për të dhënë gjithë kontributin e tyre shoqëror.

Megjithatë të mos harrojmë ditët e fillim marsit. Ende duhet të tregohemi të kujdesshëm që vështirësitë e kësaj epidemie të mos përsëriten. Ajo po mundet, por ende nuk është asgjësuar. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienës. Vetëm kështu do të mund t’i rikthehemi normalitetit të plotë.


Shtuar 22.05.2020 16:17