A pritet të ketë rinisje të shpejtë të dialogut me Hotin si kryeministër?

osova sot e ka nisur ditën me kryeministër dhe qeveri të re pasi dje në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim është votuar qeveria e kryeministrit, Avdullah Hoti.

E votimin e qeverisë së re e kanë mirëpritur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, shkruan lajmi.net.

Qeveria e re po shihet edhe si ajo që do t’i largojë të gjitha barrierat e dialogut dhe do të krijojë atmosferën për rinisjen e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lajmi.net është interesuar lidhur me këtë çështje duke adresuar pyetje në zyrën e të Dërguarit Special të presidentit të SHBA-ve Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Nga zyra e Grenell lidhur me intensifikimit e përpjekjeve për rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, kanë cituar urimin e djeshëm të Grenell për qeverinë e re të Kosovës.

“Ne mirëpresim qeverinë e re të Kosovës, dhe mezi pres të bashkëpunoj me ta për rinisjen e dialogut me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Grenell ku citohet ky i fundit.

E lidhur me këtë çështje, njohësi i politikës, Shkodran Ramadani për lajmi.net ka thënë se arsyeja pse ka rënë qeveria Kurti është pikërisht bllokimi i dialogut.

Ai shprehet se qeveria e Haradinajt dhe ajo e Kurtit kishin bllokuar dialogun, ndërsa Hoti si kryeministër do t’i largojë të gjitha barrierat.

“Siç e kemi parë qeveria e kaluar, njëjtë si qeveria e Haradinajt është shndërruar në pengesë që e bllokon zhvillimin e dialogut dhe kjo edhe ka qenë arsyeja pse qeveria e udhëhequr nga Kurti është shkarkuar për t’i hapur rrugë qeverisë së Hotit që do t’i eliminojë barrierat të cilat janë mbajtur dhe e kanë bllokuar dialogun.”, thotë Ramadani për lajmi.net.

Në këtë vijë, Ramadani shprehet se një shenjë për rinisjen e shpejtë të dialogut është edhe dorëheqja e Grenell nga të gjitha postet e tjera përveç atij që e mban të angazhuar komplet në dialog midis Kosovës dhe Serbisë.

“Pritet shumë shpejt të fillojë procesi i dialogut duke e parë që edhe Grenell ka dhënë dorëheqje nga postet me të cilat ka qenë i ngarkuar deri pak kohësh kështu që të gjitha palët janë duke u drejtuar kah rifillimi i dialogut.”, tha Ramadani.

Krejt në fund, Ramadani shprehet se pavarësisht se qeveria Hoti i ka vetëm 61 vota dhe konsiderohet të jetë e brishtë, do të jetë ajo që do ta rifillojë dialogun pas zgjedhjeve që mbahen në Serbi në këtë muaj.

E sa i përket dialogut, sot disa media në Kosovë referuar burimeve të tyre diplomatike në Bruksel kanë raportuar se Serbia ka pranuar të ndalë fushatën për ç’njohjet e Kosovës si kontribut në krijimin e atmosferës për rifillimin e dialogut.

Një gjë e tillë është mohuar pasdite nga ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq i cili shprehet se kjo është një “rrenë e madhe”, dhe thotë se fushata nuk do të ndalet.

Gjysma e dytë e vitit 2020, pas mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi shihet si koha kur dialogu do të rinisë midis Kosovës dhe Serbisë e SHBA-të dhe BE janë angazhuar intensivisht në këtë.

Marrjes së detyrës nga Avdullah Hoti si kryeministër iu është gëzuar edhe i Dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i cili pret bashkëpunim në këtë çështje.

Lajçak gjithashtu ka paralajmëruar se do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë në muajin qershor e gjithashtu ka paralajmëruar një “rinisje të shpejtë të dialogut”.


Shtuar 4.06.2020 18:34