Operacionet antidrogë, Balla thirrje policisë: Kapni “kokën” e grupit sa më shpejt

Ministri i Brendshëm Taulant Balla i ka bërë thirrje Policisë së Shjtetit që të shtojë goditjet kundër grupeve kriminale që shpërndajnë lëndë narkotike.

Balla thotë se goditjet marrin më shumë vlerë, kur shkohet tek drejtuesit e grupeve.

Ndërkohë,ai ka përshëndetur operacionet e fundit policore, në kryeqytet dhe Sarandë.

“Policia e Shtetit po godet rrjetet e shpërndarësve të lëndëve narkotike duke shënuar rezultate konkrete, siç janë aksionet e fundit në Tiranë dhe Sarandë. Ndërsa pres më shumë rezultate në ditët e ardhshme, ripërsëris domosdoshmërinë që të shkohet tek “kokat” e këtyre grupeve kriminale sa më shpejt”, nënvizon ministri.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ku nesër Balla dhe Ministrja e Arsimit Kushi do të prezantojnë një plan të detajuar për rritjen e sigurisë në shkolla, ministri Brendshëm ftoi edhe qytetarët të ndihmojnë autoritetet në këtë betejë me paligjshmërinë.

“Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, madje dhe adoleshentë, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e narkotikëve. Prandaj Policia e Shtetit duhet ta vendosë shkatërrimin e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në një prioritet kryesor”, shkruan Balla.


Shtuar 31.08.2023 11:21