“2 Prilli” bën bashkë deputetët demokratë në Shkodër, ata që mbështesnin Bashën i bashkohen Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në homazhet dhe vendosjen e kurorave pranë Memorialit “2 Prill 1991” në Shkodër, në përkujtim të kësaj ngjarjeje që tronditi Shkodrën që ndryshe njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri. Përkujtimi i kësaj ngjarje ku mbetën të vrarë 4 dëshmorët e demokracisë ka bashkuar demokratët. Krah Berishës ishin edhe deputetet e Shkodrës të cilët deri më 6 mars ishin të rreshtuar në krah të Lulzim Bashës. Ajo që vihet re është se Berisha ishte i shoqëruar nga të gjithë deputetët e PD.

Emrat

Helidon Bushati

Ramadan Lika

Zef Hila

Emilja Koliqi

Greta Bardeli

“Të dashur familjarë, prindër, vëllezër, motra, nipër, mbesa të martirëve të demokracisë të 2 prillit të Shkodrës, të dashur qytetarë të Shkodrës, zonja dhe zotërinj deputetë, i dashur kryetar i Bashkisë së Shkodër Bardh Spahia. Jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën dhe kujtimin e martirëve të votës së lirë. Themeluesit dhe anëtarit të kryesisë së PD-së Arben Broci, aktivistëve të shquar të PD-së….Por edhe të 87 qytetarëve të Shkodrës që në një masakër terroriste u plagosën atë ditë në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti, bastion të lirisë. Më 2 prill 1991, gjimnazistët e Shkodrës e ndjenë se regjimi i Ramiz Alisë grabiti votën e qytetarëve dhe ata mbushën këtë shesh në një protestë më të civilizuarën që mund të bëjë njeriu i lirë, të ulur mbi çantat e librave, protestonin paqësisht. Regjimi diktatorial do të festonte fitoren e grabitur me gjakun e tyre. Mbi ta të rrethuar u shkrehën batare, kallashnikovë dhe mitralozash. Në shesh mbetën, ranë për t’u bërë përjetë të pavdekshëm, martirë të 2 prillit, u plagosën në rrugët e qytetit dhjetëra e dhjetëra qytetarë shkodranë. Flijimi, sakrifica sublime e tyre në të vërtetë u bë dritë për shqiptarët. Masakra e 2 prillit jehoi fuqishëm në Kongresi ne SHBA-ve, parlamentin Europian, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Diktatori që shpresonte të vishte me zgjedhjet e 31 marsit xhaketën e Gorbaçovit, dëshmoi para shqiptarëve dhe gjithë botës se ai nuk ishte gjë tjetër përveçse një bastard kriminel i Hitlerit të pasluftës Enver Hoxhës.

Ne nderojmë sot veprën e pavdekshme të martirëve të demokracisë të cilët do të jetojnë për jetë të jetëve me lirinë dhe votën e lirë të shqiptarëve. Por sot ne nderojmë kujtimin e tyre në një ditë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ish-presidenti i SHBA-ve, Ronald Regan do të deklaronte se lirisë nuk i duhet më shumë se një gjeneratë që edhe të zhduket. Sot as 31 vitesh të martirizimit të tyre vota e lirë është tërësisht e konfiskuar nga sistemi kriminal i patronazhistëve, nga tregu kriminal i blerjes dhe shitjes së votës, nga bandat e qeverisë. Martirët e 2 prillit sot më shumë se kurrë kanë një apel për të rinjtë shqiptarë, të vazhdojnë betejën e tyre për votën e lirë. Sot shqiptarët nuk përballen me një diktaturë staliniste, por me një qeveri e cila siç faktohet çdo ditë përbën një organizatë të vërtetë kriminale. Një qeveri e cila njëlloj si një organizatë kriminale vjedh dhe plaçkit shqiptarët, votën e tyre, liritë e tyre, pasuritë e tyre dhe kjo përbën një kushtrim, një apel për çdo demokrat, çdo qytetar, të bashkojmë forcat për të çliruar Shqipërinë, të frymëzuar nga Shkodra, nga kjo klikë e cila nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e lirisë për të cilat u sakrifikuan martirët e Shkodrës, me idealet lirisë të qytetarëve të Shkodrës dhe qytetarëve shqiptarë. Ndaj le të zotohemi ne para kujtimit, veprës së 4 martirëve se do bëjmë gjithçka, se jemi të gatshëm për çdo sakrificë, të rikthejmë votën e lirë të shqiptarëve, për të cilën këta të rinj flijuan veten dhe rininë e tyre. Rroftë Shkodra, nderim përjetë martirëve të 2 prillit, rroftë Shqipëria!”, deklaroi Berisha.