Tragjedia me vdekjen e nënë e bir nga përmbytjet në Pejë, Osmani: Është tronditur gjithë Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për vdekjen e nënë e bir në Pejë si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani është shprehur se në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.

Nënë e bir  mbetën të vdekur si pasojë e vërshimeve të ujit. Bëhet fjalë për një fëmijë pesë vjeçar dhe nënën e tij rreth të 30-ave.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Asllan Qeshme”. Vdekja e fëmijës është konstatuar rreth orës 23:00, ndërsa rreth orës 01:20 të së dielës, autoritetet kanë gjetur edhe trupin e së ëmës, pa shenja jete.

Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, shkruan Osmani./albeu.com.