Urbanët kërcënojnë “bukën” dhe shëndetin e kryeqytetasve, Bashkia e Tiranës t’u heqë licencat nëse nuk është pjesë e lojës!

Mijëra qytetarë të Tiranës janë duke lënë në rrugë që prej tre ditesh për shkak të vendimit të pronarëve të autobusëve urbanë për të përgjysmuar numrin e mjeteve që iu shërbejnë banorëve të kryeqytetit. Madje ata kërcënuan se nëse nuk marrin subvencione për humbjet që pretendojnë se kanë, do të punojnë me vetëm 20 për qind të kapacitetit duke filluar nga 1 nëntori.

Nisur nga numri i vogël i autobusëve në qarkullim, qytetarëve iu duhet të presin shumë nëpër stacione duke humbur punën. Edhe kur autobusët vijnë, ata janë plotë duke mos respektuar asnjë kriter të masave anti-Covid.

Në këtë mënyrë, krahas të ardhurave, pra punës, qytetarëve të Tiranës iu kërcënohet edhe shëndeti nga një vendim i kompanive të shërbimit urban, të cilat kanë vendosur që të shërbejnë me gjysmë kapaciteti. Shërbimi urban në Tiranë ofrohet nga kompani private, por kontrollohet nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit kontrollon nëse kompanitë plotësojnë kushtet e nevojshme për të mbajtur licencën apo jo.

Madje, një muaj më parë bashkia ia hoqi licencën kompanisë “Ferlut” me argumentin se kishte shkelur kontratën. Në këto kushte, ky vendim i kompanive të urbanëve për të përgjysmuar shërbimin duket tejet i guximshëm.

Në rast se edhe Bashkia e Tiranës nuk është pjesë  e kësaj loje, atëhere duhet që ajo të ndërhyjë duke i hequr licencat kompanive në fjalë për aq kohë sa ato kanë vendosur që në mënyrë të njëanshme të ofrojnë gjysmë shërbimi ndaj banorëve të kryeqyetit./abcnews.al


Shtuar 20.10.2021 14:34