Për herë të parë në Francë, një grua vendoset në krye të parlamentit

Sot, deputetja Yael Braun-Pivet u bë gruaja e parë që është zgjedhur në postin e kryetares së parlamentit francez.

Braun-Pive, anëtare e partisë në pushtet, Republika, mori besimin e 242 deputetëve, një shumicë absolute gjatë raundit të dytë të votimit në parlament.

Zgjedhja e saj vjen si pjesë e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Francë, ku koalicioni centrist “Së bashku” i udhëhequr nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron fitoi shumicën e votave, por jo shumicën absolute, raporton france24.

Zgjedhja e Braun-Pivet në karrigen e kryetares pason emërimin e muajit të kaluar të Elisabeth Borne, gruaja e dytë që shërben si kryeministre franceze dhe e para në tre dekada.

E lindur në vitin 1970 në Nancy, mbesa e hebrenjve të Evropës Lindore që u vendosën në Francë në vitet 1930 për t’i shpëtuar antisemitizmit në shtëpi, Braun-Pivet është një avokate me profesion.

Ajo e ndërtoi karrierën në zonën e Parisit ndërsa për një periudhë prej shtatë vjetëve ka jetuar në Tajvan dhe Japoni, ku lindën edhe dy prej pesë fëmijëve të saj.

Pas rikthimit në Francë me familjen e saj në vitin 2012, ajo kreu punë jofitimprurëse dhe pas katër vjetëve iu bashkua partisë së presidentit francez, Macron.

Braun-Pivet ka thënë se ajo kishte votuar gjithmonë për Partinë Socialiste të Francës përpara se të ndryshonte mendje në vitin 2016 për En Marche të sapolindur të Macronit, një lëvizje politike centriste që u zotua të dilte përtej ndarjes së vjetër majtas-djathtas, të bënte politikë ndryshe dhe të përdorte talentin e shoqërisë civile.

Ajo hodhi kandidaturën për një vend legjislativ në periferi të Parisit në vitin 2017, ku edhe fitoi mandatin e parë në Asamblenë Kombëtare./albeu.com