Burrave iu rrit rroga më shumë se grave në gjatë vitit 2022

Problematika për gjetjen e fuqisë punëtore u bë shumë e mprehtë në vitin 2022, teksa për shkak të emigracionit shumë sipërmarrje nuk arrinin që të gjenin mjaftueshëm punonjës, çka nxiti dhe rritje pagash në shumë sektorë.

Nga kjo situatë më të fituar duket se kanë dalë burrat, në raport me gratë.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se paga mesatare e meshkujve shënoi një rritje më të shpejtë në 2022, në raport me atë të femrave.

Mesatarisht, një punonjës në vend u pagua me 61,898 bruto në muaj në 2022, me një rritje nominale prej 8.2%.

Për meshkujt, paga mesatare ishte 63,773, me një rritje prej 9.2%.

Për femrat, paga mesatare arriti në 59,813, ose 7.3% më shumë sesa një vit më parë.

Rritja më ritme më të larta e pagave të burrave në krahasim me ato të grave bëri që të thellohet sërish hendeku gjinor mes pagesave të të dy gjinive. Gratë u paguan 6.2% më pak sesa burrat në 2022, nga 4.2% që kishte zbritur diferenca në 2021. Gjithsesi hendeku është më i ulët në raport me 2015-n, kur burrat kishin një pagë mesatarisht 11.5% më të lartë sesa gratë.

Gratë në drejtim paguhen më shumë

Të dhënat e INSTAT, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se nga 36 grup profesione, që raporton INSTAT, vetëm në 5 prej tyre gratë paguhen më shumë.

Fusha ku gratë “shkëlqejnë” është drejtimi. Sipas INSTAT, femrat në grup profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë” kishin një pagë mesatare mujore bruto prej 189,393 në vitin 2022. Ky nivel, jo vetëm që është paga më e larta nga të gjithë grup profesionet në vend, por është dhe 11.1% më e lartë sesa e meshkujve. Në krahasim me një vit më parë, paga për këtë grupprofesion u rrit me rreth 10%, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë është grupi tjetër, ku femrat marrin më shumë se meshkujt. Paga e femrave në këtë grup është 64,365 lekë, ose 10.7% më shumë sesa burrat.

Në dy profesionet e tjera, “Punëtorë shërbimi dhe ndihmës” dhe “Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes”, gratë marrin përkatësisht 1.3% dhe 1.1% më shumë se burrat.

Administrata është institucioni që nuk i “diskriminon” femrat në paga, teksa “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” marrin njësoj, rreth 92 mijë lekë në muaj.

Ndërsa në arsim preferenca është tek meshkujt, që paguhen gati 80 mijë lekë në muaj, ose 12% më shumë sesa gratë e të njëjtit profesion.

Edhe në shëndetësi ekziston diferenca. Grup profesioni “Specialistë të shëndetësisë” i paguan meshkujt 85.8 mijë lekë në muaj, ose 13.8% më shumë sesa femrat. Për “Asistentë të specializuar të shëndetësisë”, paga mujore e burrave është 65.8 mijë lekë, ose rreth 8% më shumë sesa e grave të të njëjtit profesion.

Diferenca më e lartë femra meshkuj është në prodhim, ku rekordin e mban industria, që i paguan burrat 24.6% më shumë sesa gratë./Monitor/