Së bashku për një të ardhme më të mirë

Bashkëbisedimi më i madh global i OKB-së, #UN75, ka për të pasur më shumë pjesëmarrës nga Shqipëria, duke qenë se Vodafone Albania angazhohet t’i mbështesë Kombet e Bashkuara për të komunikuar me më shumë njerëz përmes kanaleve të komunikimit të Vodafone.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka gjetur mbështetjen e Vodafone, një nga kompanitë lider të teknologjisë së komunikimit në botë, që po e promovon nismën nëpërmjet kanaleve të komunikimit të Vodafone, për të mbërritur te miliona njerëz, me rastin e 75-vjetorit të OKB-së, përvjetor që përkon me një kohë sfidash të mëdha.

Ndërkohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara vazhdon përpjekjet për të menaxhuar pandeminë COVID-19, ajo ka filluar fushatën #UN75, një nismë ambicioze që synon të mbledhë mendimet e miliona njerëzve në lidhje me prioritetet dhe zgjidhjet për të ardhmen. Në qendër të fushatës #UN75 është një pyetësor një-minutësh, (Pyetesori), i cili iu jep mundësinë të gjithëve të thonë fjalën e tyre. Përmes këtij pyetësori, njerëzve iu kërkohet të shprehen për ato çka ata i shohin si prioritete për rikuperimin nga pandemia, si dhe të imagjinojnë të ardhmen që duan. Rezultatet do t’u bëhen me dije liderëve botërorë në shtator të 2020-ës, në ceremoninë zyrtare përkujtimore të këtij përvjetori.

Vodafone Albania po e mbështet UN Albania për të komunikuar me sa më shumë njerëz të jetë e mundur, duke e promovuar këtë nismë nëpërmjet kanaleve të komunikimit të Vodafone. Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Achilleas Kanaris,dhe koordinatori i UN Albania, Brian J. Williams, e bënë publik këtë bashkëpunim, ditën e mërkurë, 8 korrik, gjatë një takimi online nëpërmjet platformës Smart Working të Vodafone Business.

Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Achilleas Kanaris, u shpreh:

“Është kënaqësi për ne ta mbështesim një nismë të tillë fantastike me rastin e 75-vjetorit të lindjes së OKB-së. OKB-ja është një nga partnerët më prestigjiozë dhe më të hershëm të Vodafone, me të cilin ndajmë të njëjtat pikëpamje mbi mundësitë për një të ardhme më të mirë për shoqërinë. Do të bëjmë çmos që klientët tanë të informohen për pyetësorin dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në të, sepse vlera e vërtetë qëndron te përfshirja. Ne në Vodafone besojmë se të gjithë duhet të kenë mundësi për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme dhe se asnjë grup vulnerabël nuk duhet lënë pas në rrugëtimin drejt kësaj të ardhmeje. Vodafone është plotësisht i angazhuar për të përdorur rrjetin, shërbimet e zgjidhjet dixhitale për këtë qëllim. Kemi punuar për realizimin e një shoqërie dixhitale dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri edhe përpara pandemisë Covid-19 dhe do të vazhdojmë edhe më pas, ndaj do të kemi mundësi për një bashkëpunim të frytshëm në këtë drejtim.”

Koordinatori i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams tha:

“Po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme. Pandemia Covid-19 po na mëson se sfidat globale mund të kapërcehen vetëm përmes reagimeve të koordinuara në rang global. Është lajm shumë i mirë që Vodafone Albania po na bashkohet në promovimin e dialogut më të madh global, ku OKB-ja kërkon mendimet, sugjerimet e madje edhe kritikat e njerëzve për të ardhmen e përbashkët dhe për rolin që duhet të luajë kjo organizatë. Duke qenë se duam t’iu japim mundësinë të gjithëve në Shqipëri të thonë fjalën e tyre përmes këtij pyetësori, bashkëpunimi me Vodafone do të thotë se më shumë njerëz, të cilëve ndoshta nuk do t’iu dëgjohej zëri, do të kenë mundësinë të flasin, pa u lënë tashmë mbrapa.”

Vodafone Albania ka vënë në dispozicion shumë prej kanaleve të komunikimit për të informuar pajtimtarët dhe shqiptarët mbi atë se sa e rëndësishme është të japin mendimin dhe idetë e tyre në pyetësor, të dhënat e të cilit do të jenë pikë referimi për strategjitë e ardhshme të investimit të OKB-së në botë, përfshirë Shqipërinë.

Plotësoni pyetësorin dhe bëhuni pjesë e krijimit të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

https://un75.online/?lang=alb#s2


Shtuar 10.07.2020 09:01