“Koalicioni është stabil. Nuk ka kurrfarë rreziku për humbjen e shumicës në Kuvend”, tha Dimitar Kovaçevski.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska deklaroi se shumica parlamentare është stabile, ndërsa Qeveria është tërësisht e fokusuar në menaxhimin e krizës.

“Ato janë punë të brendshme partiake, deklaroi dje kryetari i partisë, unë nuk do ta komentoja. Shumica parlamentare është stabile, ndërsa Qeveria është tërësisht e fokusuar në menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe në procesin e skriningut i cili tani më është duke vijuar”, thotë Kuzeska, duke e përsëritur qëndrimin e partisë pas informacioneve për ngjarjet në partnerin e tyre të koalicionit BDI.

Ministri i Jashtëm dhe njëherit zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani po ashtu dje theksoi se Qeveria është stabile dhe se është i rremë informacioni për shkarkimin e tij. Osmani tha se ka një nivel të lartë të demokracisë në parti dhe secili mund të shprehë mendimin e tij, por fjalën e fundit e kanë liderët.

Se shumica e qeverisë është stabile, këtë e ka përsëritur edhe nënkryetari i LSDM-së, Pero Kostadinov. “Shumica e Qeverisë është stabile dhe koalicioni nuk ka probleme”, tha Kostadinov. Ai shtoi se tani për tani ka informacione se vetëm Goran Milevski nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të zëvendësohet nga ekipi qeveritar, i cili ka dhënë dorëheqje dhe nuk ka paralajmëruar ndryshime të mëtejshme.

Nga opozita kanë theksuar se qeverisja aktuale nuk është stabile. Kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka përsëritur se vendit i duhen zgjedhje urgjente të parakohshme parlamentare.

Edhe ushtruesi i detyrës si kryetar i ASH-së, Arben Taravari theksoi mbrëmë në Klan Debat se momentalisht kjo qeveri nuk është e sigurtë dhe është jostabile.

“Në momentin që po flasim kjo qeveri nuk e di se a mund të ketë 61 deputetë, nuk është stabile dhe nuk do zgjasë edhe shum, ne u munduam si çdo opozitë ta rëzoj qeverinë dhe kjo një ditë do të ndodhë sepse ndryshimi që e duan shqiptarët po vjen”, tha Taravari./INA