Largimi i mjekëve nga vendi, studiuesit për VOA: Fenomeni një element i rrjedhjes së trurit

Në Shqipëri përshkallëzimi i largimit të mjekëve nga vendi, gjatë viteve të fundit ka marrë tiparet e asaj që quhet rrjedhje e trurit. Kjo ka nxitur disa studiues të Universitetit të Sussex-it në Britani, të kryejnë një studim mbi arsyet e këtij emigrimi si dhe të faktorëve që do të ndikonin në rikthimin e tyre. Ndër shtysat kryesore në të dyja rastet, studimi veçon faktorët ekonomikë, edukimin, stabilitetin politik dhe luftën ndaj korrupsionit. Emigrimi i mjekëve është një shqetësim dhe për vendet e rajonit, por në Shqipëri ky fenomen ka pasoja më të rënda për shkak të dobësive në sistemin shëndetësor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë Mimoza Picari, bisedoi me autorë të studimit dhe mjekë mbi gjetjet e tij dhe sjell materialin në vazhdim.

Për më shumë se tre dekada, emigracioni në Shqipëri është në një shkallë të lartë dhe bazuar në të dhënat e INSTAT, sot rreth 38% e popullsisë jeton jashtë vendit. Studiuesit konstatojnë me shqetësim se emigrimi po merr formën e asaj që quhet “rrjedhje e trurit”, dhe se rreth 50% e flukseve emigratore në dhjetë vitet e fundit kanë këtë tipar. Një prej elementëve të tij është largimi i mjekëve nga vendi. Një studim i fundit i Universitetit të Sussex-it, në Britani, sjell një panoramë shqetësuese të asaj që ndodh sot në sistemin shëndetësor shqiptar. Një prej autorëve të këtij studimi Ilir Gëdeshi, thotë për Zërin e Amerikës se ai bazohet në pyetësor dhe intervista me mjekë të larguar nga vendi në

30 vitet e fundit. Ai sjell gjetje mbi arsyet e emigrimit të mjekëve, ku vendin kryesor me mbi 50% e mbajnë ato ekonomike të ndjekura nga edukimi, dhe pasiguritë mbi të ardhmen në Shqipëri.

“Në rast se shohim grupin e parë të faktorëve, del standardi i jetesës dhe përmirësimi i kushteve të punës. Dhe nëse do të shohim arsimimin, theksi vihet tek arsimimi personal. Ndërsa faktori i tretë ka të bëjë me atë se si e shohin ata të ardhmen në Shqipëri. Rreth 10% nuk shohin perspektivë në Shqipëri dhe prandaj mendojnë se emigrimi është rrugëzgjidhja më e mirë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

Sipas këtij studimi, largimi i mjekëve nga vendi, është përshkallëzuar vitet e fundit. Në atë që ai e konsideron diaspora e prej më shumë se 2500 mjekëve, bëjnë pjesë ata të larguar në vitet 90, kryesisht në SHBA, me mundësi të pakta për ta ushtruar profesionin, studentët që përfundojnë studimet për mjekësi jashtë vendit dhe nuk kthehen në Shqipëri, që përbëjnë 1/3-ën e tyre, si dhe mjekët e larguar gjatë viteve të fundit, me destinacion vendet e BE kryesisht Gjermaninë dhe Italinë.

“ Janë të paktën 2500, që mund të jenë jashtë vendit. Shifrat mund të jenë dhe më të larta. Urdhëri i mjekut gjatë 5 viteve të fundit raporton, 800 mjekë të larguar nga Shqipëria. Burimi i dytë i informacionit do të ishin të dhënat e OECD-së, që bëjnë fjalë për një mijë mjekë nga Shqipëria që ndodhen në vendet e tjera. Por këtu nuk raportohen ata mjekë që kanë marrë nënshtetësinë e vendit

pritës. Burim i tretë urdhëri i mjekut në vendet pritëse. Gjermania përshembull, deklaron se janë mbi 980 mjekë në vitin 2021, nga Shqipëria rreth 6 herë më shumë se në vitin 2012”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

Zëri i Amerikës bisedoi më disa mjekë brenda dhe jashtë vendit mbi gjetjet e këtij studimi. Ata mendojnë se ai është një këmbanë alarmi për autoritetet. Sipas tyre, sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor në vend, ka bërë që mjekët të punojnë në kushte të papërshtatshme dhe të mos ofrojnë shërbim cilësor. Autoritetet kanë marrë masa duke rritur pagat e punonjësve në sistemin shëndetësor, për të frenuar largimet e mjekëve, por sipas këtij studimi, paga është një prej arsyeve të largimit, por jo kryesorja.

“Mjekët ikin, sepse sipas këtij studimi por dhe të tjerëve para tij, nuk janë të kënaqur me kushtet e punës, me sigurinë në punë, me opsionet që u ofrohen në Shqipëri për të patur një karrierë profesionale që zhvillohet sipas rregullave të lojës dhe me ndershmëri. Nëse shihet vetëm paga, problemi nuk merr zgjidhje. Sot mjekësia nuk ofrohet vetëm nga njohuritë e mjekëve, sot mjekësia është teknologji. Nëse nuk ka udhëzues të praktikës klinike, të përshtatura me mundësitë që ka sistemi, nëse nuk ka protokolle të trajtimit të sëmundjeve, edukim në vazhdim për t’i zbatuar këto, nëse nuk ka medikamente të fjalës së fundit, mjeku nuk mund ta ushtrojë profesionin si duhet”- u shpreh për Zërin e Amerikës Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

Autorët e studimit mendojnë se largimi i mjekëve është një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor në kushtet kur Shqipëria ka tregues të ulët të numrit të mjekëve për banorë, 188 për 100 mijë banorë, kur në vendet e BE është 374 dhe në Gjermani 446. Ajo renditet ndër vendet e fundit në rajon dhe Europë. Një element tjetër i studimit lidhet me arsyet që do të rikthente mjekët në vend, që gjithashtu janë pak a shumë të njëjta me ato të largimit, ndër të tjera kushtet ekonomike, stabiliteti politik, lufta ndaj korrupsionit dhe reformimi i sistemit shëndetësor.

“Duhet investuar më shumë në sistemin shëndetësor, në raport me PBB, duhet një reformim i këtij sistemi, që të luftohet nepotizmi, korrupsioni, të rritet numri i studentëve të mjekësisë, dhe të bëhen përpjekje që ky emigrim të kthehet në qarkullues, duke bashkëpunuar me vendet pritëse të mjekëve”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.

Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, i cili punon në Gjermani, prej disa vitesh, kur flet për ndikimin politik në çështjet e organizimit dhe të drejtimit të mjekësisë, si një prej kushteve që vendosin mjekët për t’u kthyer në Shqipëri, sjell përvojën e tij personale.

“Kur flas me kolegët në Shqipëri, për fat të keq më thonë se ndiejnë politizim të tejskajshëm në sistemin shëndetësor dhe mbi të gjitha kontrollin përmes strukturave që ka ngritur partia në pushtet.

Madje miq të mi më thonë se edhe kur më ndjekim në rrjete sociale nuk mund të komentojnë ose të bëjnë pëlqime në statuset e mia se i kontrollojnë shefat”- vijoi Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

Ndërsa mjeku toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë Alban Haxhi, vë theksin te vështirësitë që kanë hasur ndër vite studentët e mjekësisë për t’u specializuar, megjithë disa lehtësira të kohëve të fundit.

“ Janë lehtësuar kohët e fundit, por deri para pak viteve ka qenë shumë e vështirë, të arrije një specializim. Dhe kjo bëhej përmes miqësive, s’ka patur konkurencë, kishte kritere penalizuese me qëllim që të fitonte ai që ishte paracaktuar. Këta janë faktorë që e vështirësojnë punën por dhe mungesa e trajnimeve e minispecializimeve. Shumë prej tyre mjekët i kryejnë jashtë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Dr.Alban Haxhi, mjek toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Si mjek që disa vite ka drejtuar një prej shërbimeve të urgjencës në vend, zoti Haxhi, veçon disa mangësi të sistemit, pavarësisht përmirësimeve.

“Ajo që vihet re, është mungesa e theksuar e aparaturave, dhe aty ku janë, kanë probleme, s’kemi dhe stafin e kualifikuar për t’i mirëmbajtur. Këto i penalizojnë mjekët për të qenë funksionalë. Shpeshherë ne bëjmë një analizë mjekësore, nuk bëjmë një tjetër, i dërgojmë në sektorin privat, një shërbim e mbulojmë, një jo. Shpeshherë dhe disa analiza të tjera që nuk bëhen fare në Shqipëri i dërgojmë jashtë. Janë disa hallka që e bëjnë shumë të vështirë diagnostikimin e sëmundjes dhe e vështirësojnë punën e mjekut”- vijoi Dr. Alban Haxhi mjek toksikolog në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Largimi i mjekëve drejt vendeve të zhvilluara është një fenomen që ka prekur dhe vende të Ballkanit, kjo edhe për shkak të kërkesave në rritje në disa vende të BE, kryesisht në Gjermani. Por në Shqipëri pasojat e këtyre largimeve janë më të mëdha për shkak të dobësive të sistemit shëndetësor dhe numrit të ulët të mjekëve për banorë.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të fushës, për të përgatitur një mjek duhen 20 vite, ndaj dhe shqetësimi për largimin e tyre nga vendi, konsiderohet një këmbanë alarmi. Shpenzimet e Shqipërisë për shërbimet publike në shëndetësi, sipas këtij studimi që i referohet të dhënave të Eurostat janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, 3.2% të PBB-së në raport me 5 apo 6 % në Serbi dhe Bosnjë Hercegovinë, apo me mesataren prej 8.1% në BE. Sot mjaft qytetarë shtrojnë pyetjen nëse është e drejtë që vende me nivel të lartë varfërie si Shqipëria të pagujanë shtrenjtë për edukimin e mjekëve që më pas ata të largohen për të plotësuar boshllëqet në sistemet shëndetësore të vendeve të pasura? Përgjigja e kësaj pyetje sipas studiuesve gjendet në lirinë e funksionimit të kërkesës dhe ofertës në tregjet globale si dhe në përpjekjet serioze të autoriteteve qeveritare për të frenuar largimin e mjekëve nga vendi. /VOA


Shtuar 23.05.2023 19:24