Babai i Jolie: E kush nuk i njeh shqiptarët, janë liridashës!
Aktori amerikan John Voight, ylli i kinematografisë hollivudiane, flet për bashkëpunimin e tij me aktorët shqiptarë, John dhe Jim Belushi. Babai i aktores së mirënjohur Angelina Jolie, e cila ka ecur pikërisht në gjurmët e të atit, rrëfen si dhe uron pavarësinë e Kosovës si shteti më i ri i Evropës.

Aktori amerikan John Voight, babai i Angelina Jolie nga Hollivudi në Gjenevë, flet me gazetarin e “Presheva jonë” Nefail Maliqin për lidhjet e familjes së tij me shqiptarët

“Jam i gëzuar për shqiptarët”, ka thënë aktori i njohur amerikan, Voight për “Presheva jonë”.

Aktori i njohur amerikan John Voight ka dhënë shumë për filmin botëror, një jetë të tërë, sidomos kinematografisë së viteve ’70. Karriera e tij nis në mjuzikëllat e Broadëay-t për të vazhduar në vitet ’60-të me serialet televizive, për të kaluar më pas me filmat e ekranit të madh dhe me rolet prej protagonisti.

Fituesi i çmimit “Oskar” në vitin 1978 si aktori më i mirë për filmin “Duke u kthyer në shtëpi”, por edhe i çmimit “Golden Globe” e “Palma e Artë” në po të njëjtën kategori, rrëfen bashkëpunimet e tij me aktorët shqiptarë.

“Unë kam pasur fatin të njihem, por edhe të interpretoj me aktorë shqiptarë, me të cilët kam aktruar në filmin e Tom Cruis ‘Mission impossible’ të vitit 1996. Jam i mendimit se shqiptarët janë aktorë të shkëlqyer. Mjafton që të përmend emrin e aktorit të ndjerë, të madhit John Belushi, i cili u nda nga ne kolegët dhe ju shqiptarët në marsin e vitit 1982, pastaj vëllain e tij James Belushin, i cili vazhdon të jetë një aktor i suksesshëm”, tregon aktori John Voight.

“E di se ju shqiptarët keni humbur një aktor të jashtëzakonshëm, por ne kemi humbur një koleg dhe mik të madh. Por kjo nuk do të thotë se me të marrin fund aktorët e suksesshëm shqiptarë. Sot Shqipëria e Kosova ka shumë Belusha të tjerë”, shton babai i aktores hollivudiane Angelina Jolie.

Aktori John Voight duket i thjeshtë në komunikim, duke e bërë bisedën më të ngrohtë e më interesante. Sigurisht që i njeh shqiptarët, Shqipërinë e Kosovën, për shkak të aktorëve të njohur, kolegë të tij, James e John Belushi, por edhe për shkak të luftës së madhe të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.

“Unë i njoh shumë mirë shqiptarët. E kush nuk i njeh shqiptarët, kush nuk e di se ku ndodhet Kosova? E di mirë dhe e njoh luftën e shqiptarëve liridashës për ta parë Kosovën të pavarur… Kosova sot ka fituar statusin të cilin e ka merituar. Jam i gëzuar kur sot në Kosovë shqiptarët dhe mbarë qytetarët e saj jetojnë në paqe dhe liri. I përgëzoj ata dhe uroj nga zemra pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë”, thotë i qeshur ai. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2014, ora 16:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori