E RËNDË/ Varr masiv me trupa të vdekur e të hedhur në kanal në Mariupol të Ukrainës (FOTO LAJM)

Disa fotografi tregojën pamjet e frikshme që vijnë nga qyteti Mariupol i Ukrainës.

Trupa të vdekur e të hedhur në një varr masiv në qytetin e rrethuar të Mariupolit, të jug të Ukrainës janë publikuar të mërkurën më 9 mars.

Imazhet nga Associated Press tregojnë burra, disa të veshur me tuta ose kostume mbrojtëse blu, duke vendosur trupa në një kanal.

Në disa foto, kufomat janë në çanta, disa të tjerë të mbështjellë vetëm me batanije.

Qyteti është sulmuar prej 24 shkurtit 2022 dhe është bombarduar e izoluar nga forcat ruse.

Të paktën 1300 civilë janë vrarë në Mariupol që nga fillimi i pushtimit rus, tha të mërkurën një këshilltar i kryebashkiakut të qytetit.

Banorëve u është ndërprerë uji dhe energjia elektrike dhe të martën Ministri i Jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës duke mbajtur “peng” 300,000 civilë.

“Në të vërtetë, ne nuk mund të llogarisim sa vdekje kemi, dua të them tre deri në katër herë më shumë. Ne as nuk jemi në gjendje të numërojmë sa njerëz në rrugë janë vrarë nga bombardimet dhe artileria,” tha nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Sergei Orlov për CNN.

“Ne nuk e dimë se sa, sepse nuk mund t’i mbledhim të gjithë trupat dhe nuk mund të numërojmë.”

Evgeniy Maloletka, një fotoreporter i AP që fotografoi skenën, tha se disa prej trupave ishin “sjellë të mbështjellë në qilima ose qese plastike”.

“Dyzet erdhën të martën, 8 mars ndërsa  30 të tjera të mërkurën,” shtoi ai.

Ukraina kërkon Gjykatë Speciale për hetimin e krimeve ruse

Prokurorja e përgjithshme ukrainase, Iryna Venediktova, bëri thirrje për një “model të ri” të përpjekjeve për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës në Ukrainë, duke thënë se duhet të krijohet një Gjykatë Speciale për krizën e “paprecedentë”.

Ajo tha se 39 vende i janë bashkuar ankesës së Ukrainës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) kundër Rusisë.

Sulmi i Rusisë ndaj një termocentrali bërthamor, përdorimi i dyshuar i bombave thërrmuese dhe të ashtuquajturat bomba vakum në zona të dendura me banorë si dhe shënjestrimi i spitaleve, shkollave dhe zonave civile janë përshkruar gjithashtu si krime lufte.


Shtuar 10.03.2022 10:57