“Themelimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ngjarje historike kombëtare”, ekspozitë para xhamisë Et’hem Beu për 100 vjetorin e KMSH

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, organizuan këtë të premte ekspozitën me temë: “Themelimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ngjarje historike kombëtare”.

Kjo ekspozitë erdhi këtë të premte në kuadër të 100 vjetorit të themelimit të institucionit të KMSH-së në vendin tonë.

Ekspozita u zhvillua në xhaminë “Et’hem Beu”, ku ishin të pranishëm Kryetari i KMSH, H. Bujar Spahiu, Drejtori i Arkivave të Përgjithshme të Shtetit, Ardit Bido, Drejtori i Kulturës pranë KMSH-së, Dorian Demetja, Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, imamë dhe besimtarë.

Në fjalën e tij, Spahiu, falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit të Shtetit për bashkëpunimin në realizimin e kësaj ekspozite, u ndal shkurtimisht në etapat më të rëndësishme të institucionit në këtë 100-vjetor.

“Ka qenë një shekull plot me sfida. Ka patur momente të vështira si në fillimet e të funksionuarit si institucion i pavarur po ashtu edhe në periudhat e mëvonshme, siç është sprova e rëndë e komunizmit, rithemelimi pas viteve ’90, i cili vinte në kushte me kontekst krejtësisht të ndryshëm nga ç’ka qenë më parë. Por, falë Zotit, ia kemi dalë. Dëshmitë historike të gjithë këtij shekulli nuk mungojnë. Ashtu siç e shohim edhe sot në këtë ekspozitë të përbashkët ato flasin për një histori të lavdishme të Komunitetit Mysliman.” – tha Spahiu gjatë fjalës së tij.

Ndërsa, Bido, në 100-vjet të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, theksoi rolin e klerikëve në historinë e shtetformimit tonë. Sipas tij, ata kanë një kontribut për tu vlerësuar në hedhjen e bazave të forta të kulturës, arsimit, dhe identitetit tonë kombëtar.

Pas fjalëve përshëndetëse për mediat e pranishme, ekspozita u hap edhe për publikun e gjerë, të cilët shprehën interes për ta vizituar dhe për tu njohur nga afër me zhvillimet kryesore të institucionit këto 100 vite.


Shtuar 24.02.2023 13:35