Arbri i BB5: Fitoren e kam merituar
Arbri, fituesi i 100 milionëve te Big Brotherit e cilëson veten si një lojtar të fortë por edhe inteligjent. Nuk e pranon që miqësia e tij me Liamin ka ndryshuar, por pranon se fitorja ishte e të pestë finalistëve edhe pse thotë se e ka ditur që do fitonte. Ka pasur besim të madh dhe duket se ky besim e bëri atë fitues të “Big Brother”.

Arbri ne nje interviste per MAPO-n tregon se lekët i takojnë familjes, teksa shton se me Gerin jashtë asgjë nuk do ndodhë; ajo për të mbetet një mike e mirë.


Arbër, si ndjehesh pas fitores së 100 milionë lekëve?

Realisht shumë mirë dhe jam ende në fazën që jam gjithë kohës duke dhënë intervista. Akoma s’e kam shijuar tamam.

Pasi dole, ke thënë që e meritove fitoren. Mendon se ishe konkurrenti më i fortë aty brenda?

Vetë fakti që isha në finale, ndjej që e kam merituar çmimin e madh.

Nuk të duket pak se mund të tingëllojë tek publiku si një mungesë modestie kjo?

Mungesë modestie do të ishte nëse do të thosha që nuk e meritoj.

Arbri ke bërë një lojë të fortë dhe të pakuptueshme. Cila ishte pika e fortë?

Arbri. Unë isha pika e fortë. Loja ime dhe gjithçka që sillej rreth meje. Nuk i kam lënë situatat të më ikin nga dora, gjithçka e kam mbajtur nën kontroll.

Cilat situata ke mbajtur nën kontroll?

Që nga humori e deri për të qarë, për t’u acaruar dhe për të diskutuar me gjithë banorët e tjerë aty brenda. Besoj se jam i vetmi person që nga i pari dhe deri tani që kam përballuar katër persona në fund dhe kam qenë vetëm.

Në fillim dukej sikur ishe pozicionuar me Liamin..

Ka qenë dëshira e banorëve brenda të na shihnin të dyve bashkë.

Në momentet kur Liami kishte debate, ti ke dalë në anën e tij…

Kam dalë në anën e atij që ka të drejtë. Në momentin që dikush ka të drejtë por i bëhet padrejtësi, unë reagoj. Nuk i dua padrejtësitë.

Shumë njerëz jashtë po e komentojnë si të padrejtë lojën tënde pasi të shihnin si mik të Liamit, pastaj u pozicionove si i treti mes poleve Liam-Ermal…

Unë u pozicionova i pari dhe jemi miq me Liamin. Jemi miq të mirë.

Duke parë lojën mund të themi se brenda ishin dy grupe. Liami dhe Ermali…

Ka qenë grupi i Arbrit….

Po thua që edhe Liami ka qenë në grupin tënd?

Ka qenë grupi i Arbrit, ku ka bërë pjesë Arbri dhe Arbri.

Kjo do të thotë që ti s’ke bërë asnjë aleancë aty brenda?

Në qoftë se do të quhet aleancë, unë kam bërë edhe me Gerin apo Gracianon, por nuk kam qenë në grup me ta. Unë kam pasur debate me Liamin, p.sh, kur i kam thënë mos u fut mes ndjenjave, dhe kam qenë në anën e Françeskës.

Dy javë para finales ti shfaqe gjithë potencialin tënd. Përse pikërisht në fund?

Kam dashur që siç kuptohej brenda të kuptohej edhe jashtë, të mos kuptohet Arbri. Kjo ka qenë e bukura e gjithë kësaj. Të gjithë e kanë ditur që konkurrenti më i fortë aty brenda isha unë dhe kam qenë vetëm. Pra epiqendra e gjithë banorëve që duhej sulmuar.

Liami nuk të ka parë kështu, këtë në fakt e ka thënë Arbri..

Ai e ka ditur që kundërshtari më i fortë jam unë. Në të njëjtën kohë edhe Ermali e ka ditur këtë gjë. Kjo është e bukura e gjithë kësaj.

Çfarë të tha Liami kur u shpalle fitues?

Nuk e kam dëgjuar se çfarë më ka thënë, pasi dëgjova vetëm zërin e Arbanës.

E festuat bashkë fitoren tënde?

E festova më gjithë shqiptarinë.

A ishte Liami pjesë e festës?

Të gjithë jemi fitues, që të 5-të mendoj.

A vazhdoni ta keni atë afrimitet që kishit në shtëpi?

Vazhdojmë ta kemi edhe jashtë. Me Liamin përshëndetemi, takohemi. Është çdo gjë në rregull. Gjithçka ka ngelur në konceptin e lojës.

Meqenëse për Liamin nuk ke dëshirë të flasësh…

Liami është djalë shumë i mirë, karizmatik, i ka të gjitha… Ndoshta matematikën nuk e di mirë.

Mendon vetë se bëre lojë të padrejtë?

Personi më i drejtë aty brenda është ai që veprimet i bën në momentet e duhura. Ai është person i drejtë dhe kur ndërhyn në momente të padrejta që është padrejtësia. Unë kam ndërhyrë kur kam parë padrejtësi ndaj dikujt dhe kam dhënë mendimin tim.

Arbri, vazhdon të të pëlqeje ende Geri?

Është një mike e mirë.

Përveçse mike shumë të mirë, kur doli jashtë i kushtove një poezi dashurie…

Geri është vajzë e bukur, ia vlen t’i kushtosh një poezi dashurie.

Vetëm kaq?

Nuk e njoha më shumë.

Vazhdon ta pëlqesh po njëlloj?

Është shumë e bukur Geri dhe më pëlqen.

Çfarë do bësh me lekët që fitove?

Nuk më takojnë mua. U takojnë prindërve të mi. Ata do t’i menaxhojnë, jo unë.

Nga banorët, kujt ia kishe më tepër frikën?

Arbrit.

Pse ia kishe frikën vetes tënde?

Sepse unë mund të gaboja, askush tjetër. E kam ditur që jam fitues.

Si e dije që do fitoje?

Në bazë të veprimeve dhe si banor i asaj shtëpie.

Tani që ke dalë është komentuar shumë fitorja jote, të kanë quajtur të padrejtë, shumë dinak dhe citoj edhe Liamin kur tha që të votoi Kosova…

Më votuan shqiptarët dhe dua të them që kam qenë një lojtar inteligjent.

Si e arrite gjithë këtë?

Në bazë të eksperiencave të jetës që kam pasur.
Shtuar më 02/06/2012, ora 20:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori