“Blutë” nuk ndalojnë këtë merkato, Chelsea kërkon mesfushorin e Brighton

Roberto de Zerbi dhe puna e tij e mirë në Brighton e kanë ngritur klubin në sytë e gjithë botës, duke i pozicionuar “pulëbardhat” në vendin e 6-të, në renditjen e Premier League. Një nga shtyllat e saj, Moises Caicedo është lidhur ngushtë me një transferim të mundshëm te njëra nga treshja Manchester United, Liverpool dhe Chelsea, me Londinezët që vazhdojnë të investojnë për forcimin e skuadrës pas transferimeve të Joao Felix, Mudryk, Fofana dhe Badiashile në këtë merkato dimërore.

Puna e mirë e mesfushorit ekuadorian, shtuar edhe faktin se Graham Potter është ish-trajneri i tij, e sjellin 21-vjeçari më afër “bluve”, duke parë dhe vështirësitë që këta të fundit kanë kaluar pas dëmtimit të N’golo Kante.

“Por pyetja nëse ne i shesim lojtarët tanë të mëdhenj nuk është për mua, është për pronarin tonë. Problemi nuk është shitja. Problemi është blerja e lojtarëve të rinj me të njëjtin nivel ose të njëjtin potencial si ata që shitni . Për momentin mendoj se klubi po punon mirë në kërkimin e lojtarëve të rinj”,- u shpreh tekniku i Brighton, de Zerbi pasi u pyet për një largim të mundshëm të Caicedos.

Nga ato çka raportohet në mediat angleze, “pulëbardhat” kanë refuzuar një ofertë të parë që ishte rreth 60 milionë euro, por nga sa thuhet në media Presidenti i “bluve” Todd Boehly është i gatshëm të bëjë një përpjekje ekonomike dhe të paraqisë një propozim të ri prej 74 milionë eurosh. Deri më tani në këtë merkato dimërore skuadra “bardheblu” ka shitur belgun Leandro Trossard te Arsenali për një shifër afër 30 milionë euro. /albeu.com