Rama takim me Rektorët e universiteteve: Jemi në një fazë të ndërmjetme pas reformës në arsim

Kryeministri Edi Rama, ka nisur takimin re Rektorët e Universiteteve Publike dhe Jopublike për të diskutuar mbi procesin e rankimit të institucioneve të arsimit të lartë.

Rama u shpreh se në sistemin universitar ka shumë më tepër kapacitete se sa ka qenë e mundur të lexohen në sytë e opinionit publik.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se: Jemi këtu për të diskutuar për një tematikë që ka të bëjë me rankimin e universiteteve tona dhe një vlerësim të plotë të të gjithë kritereve të ligjshmërisë, kur jemi në një fazë që do ta quaj të ndërmjetme pas reformës së Arsimit të Lartë e fillimit të zbatimit të saj dhe në funksion të thellimit t kësaj reforme në organizimin e mëtejshëm të të gjithë sistemit tonë universitar. Dua të bëj me dije që sikundër e kishim diskutuar me rektorët, në takimin e Pragës të atij që u pagëzua si komuniteti i ri politik europian, unë kam ngritur temën e Universitetit si një temë që duhet konsideruar nga BE dhe për t’u adresuar pa pritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të BE.

Ne kemi si vende kandidate që negociojmë anëtarësimin tonë një akses të pjesshëm. Ne në sistemin tonë universitar kemi shumë më tepër kapacitete se sa ka qenë e mundur të lexohen në sytë e opinionit publik, si rezultat i një periudhe të gjatë prapambetjeje në trajtimin e burimeve njerëzore. Sot ky është një nga efektet më të rëndësishme të reformës dhe të kësaj qasjeje të re. Është e dukshme që reformimi si rezultat i ligjit të ri të arsimit të lartë po sjell impakt në menaxhimin dhe të risive të reja për studentët. Të gjitha këto në raport me startin pas reformës dhe jo në raport me ku ne duhet të jemi. Edhe procesi i financimit tregon që jemi në drejtimin e duhur, pavarësisht se duhet akoma më shumë shfrytëzim i hapësirës së autonomisë si hapësirë përgjegjësie. Sot raporti ynë me të ardhmen është i zhdrejtë, renditja e universiteteve shqiptare në hartë dhe për shkak të një kohe të humbur përpara reformës është e papranueshme, por lajm i mirë sipas nesh është që është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet.

Në ato projekte në të cilat UT ka aksesuar fonde europiane kemi disa projekte ku është lider Universiteti i Tiranës. Kemi vendosur të merremi seriozisht. Pra të ndjekim një nga një të gjitha kushtet që duhen përmbushur për të qenë më pranë asaj që ofrojnë kapacitetet tona akademike.”, tha Rama duke shtuar: “E them me krenari, jemi të 8-tët në Europë për shërbime digjitale”.

 


Shtuar 18.10.2022 09:58