Kërkesa për riformatim të qeverisë shfaqet brenda koalicionit, a do t’i hyjë Kurti këtij telashi

Albin Kurti e Vjosa Osmani ia kanë dalë ta mbajnë nën kontroll situatën brenda koalicionit, që prej se dy subjektet, VV dhe Guxo, u mandatuan me përqindje të lartë në zgjedhjet e janarit të vitit të kaluar për të udhëhequr me vendin. Por, aktualisht punët nuk janë duke shkuar si “vaji në tepsi”. Zyrtarët, si Haxhi Avdyli i Listës Guxo po bëjnë thirrje publike për ndërrime të ministrave, aty ku “nuk ka energji”, ndërsa analistët kanë filluar të flasin për përçarje ndërmjet zyrtarëve të VV’së, që janë brenda një dikasteri, si puna e Hysen Durmishit e Liburn Aliut. Por, edhe brenda kampit Guxo, më saktë, ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës situata nuk është e qetë. Express sjell detaje për atë që po i ndodh pushtetit përbrenda.

Rreth 3 muaj më parë kur Albin Kurti kishte dhënë një intervistë televizive, e kishte pranuar se ai si Kryeministër dhe ministrat nuk po mund të “kontrollojnë” gjithçka për shkak të punëve të shumëta.

Me këto fjalë, Kurti po fliste rreth rastit të Besnik Bislimit, që kishte bërë një lapsus pas një takimi në Këshill të Europës, duke ia atribuuar një fjali nikoqirit të tij, që ai nuk e kishte thënë.

“Ne kemi ekipet tona ku delegojmë shumë punë dhe jo gjithçka arrijmë ta mbikëqyrim ashtu siç duhet”.

Atë ditë marsi, kur Kurti po jepte intervistën, kjo deklaratë nuk do të mund të merrej si një sinjal se nuk i ka gjërat nën kontroll. Thjeshtë kjo ishte një nga formulimet e Kurtit të cilat ai i “nxjerr nga mënga”, në studio televizive.

Kurti e ngapak edhe Osmani kanë aftësi që marrin krejt vëmendjen e njerëzve dhe të lënë në hije gjithcka që ndodhë në taborrin e pushtetit aktual. Madje shumëkush konsideron se ata mund të mbajnë edhe një disiplinë të hekurt brenda radhëve të tyre.

Por, ka të tjerë që mendojnë dhe thonë se nuk është më kështu.

Një kohë të gjatë është përfolur se Kurti ka telashe me deputetët e tij konservatorë, të cilat kishin kulmuar kur para përfaqësuesve të popullit u soll Kodi Penal që përmbante edhe nenin e famshëm për homoseksualët. Konflikti që përflitej se ekziston brenda VV’së për këtë çështje u “ngri” përkohësisht  pasi dështoi votimi i Kodit i cili do të kthehet në përsëri aty.

Ditëve të fundit, në kuloare është duke u përfolur për një zënkë që tashmë thuhet se ka marrë formën e një përplasjeje të fortë ndërmjet dy figurave të VV’së, Liburn Aliut dhe Hysen Durmishit që punojnë bashkë në Ministrinë e Infrastrukturës, njëri si ministër tjetri si zëvendës.

Për raportet e tyre shkroi publicisti Halil Matoshi në OP-ED’in e tij në Gazetën Express.

Sipas Matoshit, Kryeministri Albin Kurti po dështon në “mbulimin e skandaleve të zyrtarëve të shtetit”.

“Tendencat e tij për mbulimin e skandaleve të zyrtarëve të shtetit, po dështojnë, sepse i krisi e çara në marrëdhëniet ndërmjet ministrit Liburn Aliu dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në Ministri për një tender 16 milionësh po hetohet Hysen Durmishi. E këtë hetim, sipas Matoshit, po e drejton ministri Liburn Aliu.

Në kampin e Listës Guxo, ndërkaq, nuk ka raporte të mira ndërmjet Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës.

Merret vesh se Osmani është duke ia zvarritur nënshkrimet ministres së jashtme emrat që ajo i ka propozuar për diplomatë. Osmani është pajtuar së voni, për emrin e Lulzim Hyseni i cili do të jetë diplomat i Kosovës në Strasbourg të Francës.

Në opinion, edhe ministra tjerë të Kurtit kanë filluar të përfliten me të madhe.

Nagavci u vërtetua se shkeli Kushtetutën ndërsa Ministri i Shëndetësisë thumbohet shpesh për udhëtimet përtej Atlantikut. Gjatë vizitës së fundit ai arriti të barazojë me shefin e tij sa i përket gjatësisë së qëndrimit në SHBA.

E gjithë kjo situatë ka shtyrë deputetin e Listës Guxo të kërkojë riformatim të Qeverisë.

“A do të ndodhë, nuk e di. A duhet të ndodhë, do të ishte mirë”, tha Avdyli të hënën në “Dpt Te Fidani”.

“Pse të mos ketë një riformatizim aty ku mungon energjia, në ndonjë sektor?”, shtoi Avdyli.

Sipas tij, ai që duhet të ndërrohet duhet të jetë një ministër që s’ka dhënë rezultate sa duhet.

Madje, Avdyli foli edhe për Ministrinë që e ka merak, pasi është edhe mjek me profesion, duke thënë se Shëndetësia nuk është prioritet për Kurtin.

Por, a do të tentojë Kurti ta rikthejë qetësinë si dikur kur kishte pastruar radhët në parti, duke shkarkuar e emëruar ministra të rinj?

Kurti pa dyshim se e ka fuqinë për ta bërë këtë, por marrja e këtij veprimi do të nënkuptonte pranim i dështimit. Dihet që Kurti nuk e ka në qejf këtë.

Për ndryshimet e mundshme në Qeveri për Gazetën Express ka folur të martën analisti Astrit Gashi.

Formatizimi i Qeverisë, sipas Gashit  “është duke u përmendur qe një kohë dhe atë nga vetë partia në pushtet”. Kjo, sipas tij po bëhet për dy arsye.

“E para, performanca e ulët e disa ministrave, dhe e dyta, nevoja e Qeverisë për t’u dukur se po bëhen ndryshime”.

“Është një veprim taktik politik i qeverive kur fillon të zë vend te votuesi pakënaqësia me performancën”.

Por, ai është i bindur se vetëm Kurti pyetet për riformatim.

“Sa i përket deklaratave të Haxhi Avdylit, përkundër respektit, ato fare nuk çojnë peshë. Nuk vendos asgjë ai, por as edhe Lista Guxo ku është ai. Nuk e pyet askush, me e thënë troç”, i tha Gashi Gazetës Express.

Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim nga Zyra e Kryeministrit në lidhje me mundësinë e riformatimit të Qeverisë, por nga Ekzekutivi nuk janë përgjigjur. /Gazeta Express/