Shkrumbohet nga flakët makina në aksin Pogradec -Korçë, sapo ishte furnizuar me gaz: Dy të plagosur (VIDEO)

Një makinë është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në Maliq, ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur.

Burime bëjnë me dije se makina ka qenë në ecje në momentin kur është përfshirë nga flakët, dhe sapo ishte furnizuar me gas në karburantin e fshatit Vloçisht.

Të plagosur mësohet se kanë mbetur drejtuesi dhe pasagjeri në mjet, që si pasojë e flakëve ka dalë dhe nga rruga.

Mësohet se të plagosurit kanë thënë se gjatë momentit të zjarrit kanë dëgjuar dhe tre shpërthime.

Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ambulanca, për të bërë të mundur transportimin e të lënduarve drejt spitalit.

Njoftimi i policisë:

Më datë 01.09.2021, rreth orës 07:20, në fshatin Vloçisht, Maliq, ka rënë zjarr në një automjet në ecje, i cili sapo ishte furnizuar me lëndë djegëse (gas) në një karburant në afërsi të këtij fshati.

Për pasojë kanë pësuar djegie, drejtuesi dhe pasagjeri të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës.

Shërbimet e zjarrfikëses, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

c


Shtuar 1.09.2021 08:25