A e ka humbur Perëndimi kontrollin mbi naftën? Fuqitë e OPEC po krijojnë aleanca të reja

Nga Helen Thompson “Unherd

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nafta mund të jetë një burim fuqie, por përpjekja për të kontrolluar çmimin e saj është një biznes i rrezikshëm në aspektin politik. I udhëhequr nga çifti i çuditshëm që përbëhet nga Princi i Kurorës Saudite, Mohammad Bin Salman (MBS) dhe presidenti rus Vladimir Putin, karteli i prodhuesve të naftës, OPEC Plus, ekziston për t’i mbajtur çmimet në një nivel të caktuar për anëtarët e tij shpeshherë grindavecë në një mjedis energjie ku çmimet e naftës kanë pësuar një rënie drastike gjatë 2 dekadave të fundit.

Por rëndësia e këtij grupimi në një botë gjeopolitike të diktuar nga rivaliteti Kinë-SHBA ka filluar të shtrihet përtej tregjeve të naftës. OPEC Plus ka mbetur funksional edhe pse aksi Pekin-Moskë-Tehran është forcuar që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, si dhe nga afrimi i fundit i ndërmjetësuar nga Kina midis Arabisë Saudite dhe Iranit.

Kjo ngre pyetjen nëse Arabia Saudite është duke dezertuar për të kaluar plotësisht në kampin anti-Uashington. Karteli u formua në rrethana gjeopolitike shumë të ndryshme nga sot. Në fundin e vitit 2016, OPEC Plus përfaqësonte një afrim midis dy prodhuesve të mëdhenj dhe deri më sot përgjithësisht antagonistë të naftës euroaziatike, teksa ata po i përshtateshin tronditjes së shkaktuar në treg nga rishfaqja e Shteteve të Bashkuara si një prodhuese e naftës në nivele të larta.

Krijimi i një lidhjeje midis OPEC dhe Moskës ishte një akt dëshpërues nga ana e sauditëve. Në 2 vitet e mëparshme, Riadi kishte synuar të falimentonte sektorin e naftës argjilore të SHBA-së, duke lejuar enkas rënien e çmimeve, por në përgjithësi ia doli vetëm të boshatiste rezervat e veta valutore.

Kur ndryshuan kurs në shtator 2016, sauditët zbuluan se pasi ishin armiqësuar me shumicën e anëtarëve të tjerë të OPEC me sjelljen e tyre të pamatur, nuk mund të kontrollonin më çmimet. Dy muaj më vonë, Rusia dhe 10 shtete të tjera ranë dakord për një ulje të dytë të prodhimit të naftës të OPEC.

Kështu lindi OPEC Plus. Ndërkaq gjatë 3 viteve që pasuan pasoi një konvergjencë më e gjerë gjeopolitike midis Riadit dhe Moskës kundër Uashingtonit. Kur Mbreti Salman takoi Putinin në tetor 2017 – vizita e parë ndonjëherë shtetërore e një monarku saudit në Moskë – të dy udhëheqësit diskutuan bashkëpunimin ushtarak dhe mundësinë që sauditët të blejnë armë ruse.

Por sado që kërcënimi i naftës argjilore amerikane bashkonte vendet e Opec Plus, një ndarje e fortë gjeopolitike e përshkoi aleancën e re të prodhuesve: ndërsa Rusia ishte afruar më shumë me Iranin që nga ndërhyrja e Moskës në Siri në shtator 2015, Arabia Saudite ishte përfshirë në një luftë përmes palëve të treta kundër Iranit në Jemen që nga viti 2014.

Hendeku u zbulua kur në shtator 2019, Irani – i vetëm apo me aleatët e tij Huthi në Jemen – shkatërruan rafinerinë e madhe saudite në Abqaiq me dronë dhe raketa. Si për ironi Putini u shfaq pak ditë me vonë përkrah presidentit iranian duke deklaruar se Moska ishte gati t’i shiste Riadit sistemin e saj të mbrojtjen anti-raketore.

Vetëm 4 muaj më vonë, OPEC Plus u përball me krizën e parë serioze të tregut të naftës, pasi kërkesa e Kinës ra me shpejtësi që në fillim të pandemisë së Covid-19. Kjo solli çarjen e aleancës ruso-saudite. Në pamundësi për të rënë dakord me Putinin mbi sasinë e prodhimit që duhej të reduktonte, MBS eci në drejtimin e kundërt, duke e përmbytur tregun global me naftën saudite në një përpjekje tjetër për të rrëmbyer pjesën ruse të tregut.

Donald Trump kërcënoi se do të anulonte mbështetjen ushtarake amerikane për Riadin, nëse sauditët dhe rusët nuk binin dakord për të ulur prodhimin e naftës. Marrëveshja e Abrahamit e administratës Trump, ku Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini normalizuan raportet me  Izraelin në shtator e 2020, e thelloi më tej mungesën e koherencës së brendshme të kartelit për çështjet e Lindjes së Mesme.

Megjithatë nga ai moment ngjarjet kanë folur në dobi të forcimit të pozitave të OPEC Plus. Teksa administrata e re e demokratëve në Uashington u tregua e paaftë të bindte Iranin të ulej për të nënshkruar një marrëveshje të re mbi programin e tij bërthamore dhe me shtimin e prodhimit të naftës argjilore, Biden u detyrua që t’i kërkonte OPEC Plus të rriste prodhimin.

Udhëtimi i tij në Riad verën që pasoi për të njëjtin qëllim pati pak rezultate. Madje, në muajt pas vizitës së Biden, Opec Plus u duk sikur po tallej me presidentin amerikan, duke njoftuar një reduktim të madh të prodhimit vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit. Në pamundësi për të ndikuar kartelin gjatë presidencës së tij, Biden është detyruar të harxhojë aq shumë naftë rezervë sa që në mars të këtij viti, Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së përmbante vetëm 58 për qind të sasisë që kishte 3 vjet më parë.

Paradoksalisht Lufta e Rusisë vetëm sa e ka përforcuar autonominë e anëtarëve arabë të OPEC Plus, duke e ndryshuar rolin e Kinës në tregun e naftës. Të paktën që nga koha e krijimit të kartelit, udhëheqja kineze është përpjekur të thellojë marrëdhëniet e saj me të gjithë prodhuesit kryesorë të naftës në Lindjen e Mesme.

Ajo arriti një marrëveshje me Iranin në vitin 2019 për një program bashkëpunimi 25-vjeçar, ku Kina do të kryente investime të mëdha në sektorin e naftës dhe gazit të Iranit. Por përpara shkurtit 2022, Kina ishte e gatshme të koordinohej me vendet e tjera të mëdha konsumatore për të kundërshtuar ndikimin e OPECL Plus në tregjet e naftës.

Sidomos kur po rriteshin çmimet në gjysmën e dytë të vitit 2021. Por lufta e Moskës kundër Kievit duket se i ka dhënë fund çdo arsyetimi strukturor për bashkëpunimin Kinë-SHBA në lidhje me naftën. Meqë Kina mund të përfitojë nga nafta e papërpunuar ruse me ulje çmimi, ajo nuk ndan interesin amerikan për ta detyruar OPEC Plus të furnizojë kolektivisht me më shumë naftë tregun global për të ulur çmimet në Lindjen së Mesme.

Për më tepër, siguria e naftës dhe gazit për Kinën qëndron vetëm në ruajtjen e diversitetit të furnizimit, pra në shmangien e varësisë së tepërt nga Rusia. Prandaj, interesi i Pekinit ka të bëjë me parandalimin e një ndarjeje të tregut OPEC Plus midis Azisë dhe Evropës, si dhe reduktimin e cënueshmërisë së kalimit të cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit ndaj fërkimeve saudite-iraniane.

Të paktën në betejën teknologjike, Arabia Saudite ka zgjedhur të rreshtohet përkrah Kinës. Ky realitet u bë shumë i qartë në dhjetor 2022, kur MBS priti kryeministrin kinez Xi Jinping në Riad për 2 samite Kinë-Gjiri Persik. Pas finalizimit të një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik, të paraqitur për herë të parë në vitin 2019, të dy shtetet premtuan “të mbështesin me vendosmëri interesat thelbësore të njëri-tjetrit”.

Ndërkohë kompania kineze e telekomunikacionit Huawei nënshkroi një sërë marrëveshjesh investimi me kompanisë saudite. Arabia Saudite duket se ka filluar këtë vit ta zbatojë këtë qasje edhe në marrëdhëniet me kundërshtarin e saj të vjetër në rajon, Iranin. Kjo i dha mundësi Kinës të ndërmjetësonte një afrim që ka sjellë rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy shteteve pas një ndërprerje 7-vjeçare.

Se ku po e çon në aspektin gjeopolitik kjo prirje Arabinë Saudite, është diçka ende e hapur për debat. Por forca e bllokut euroaziatik anti-SHBA mund të mbivlerësohet lehtësisht. S’ka asnjë provë se Uashingtoni synon ta pranojë dominimin e tij detar në Gjirin Persik, apo që Kina ka kapacitetin e fuqisë detare për ta zëvendësuar atë.

Të gjitha fuqitë sfiduese, përfshirë Arabinë Saudite, janë të cenueshme ndaj çrregullimeve serioze politike të brendshme. As shkalla e kapacitetit aktual shtesë të naftës saudite nuk është e qartë. Nga ana tjetër Arabia Saudite nuk po merr anën e Kinës në lidhje me financat. Edhe pse Pekini mund të jetë duke i nxitur sauditët dhe anëtarët e tjerë të OPEC Plus që ta pranojnë renminbi-në si pagesë për naftën dhe gazin, nuk ka asnjë provë që Arabia Saudite po lëviz për të blerë asetet e tyre financiare.

Megjithatë, basti i administratës Biden sipas të cilit tranzicioni energjitik gjatë dy dekadave të ardhshme do ta zvogëlojë kërkesën amerikane për naftë aq sa ta lejojë Arabinë Saudite të zhvendoset të paktën pjesërisht, ka të ngjarë të testohet shumë fort.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 10.07.2023 13:13

Tags: