Almeda flet pas lindjes: Ardhja e Efehan, po jetojmë pushimet më të bukura (FOTO LAJM)

Edhe sot, kur kanë kaluar thuajse dy muaj nga dita kur Almeda Abazi u bë nënë për herë të parë, ajo nuk është në gjendje të përshkruajë emocionet e çastit kur mbajti për herë të parë në krahë të birin, Efehan.

Në këtë intervistë ekskluzive për revistawho.com, me të cilën ka ndarë të gjitha momentet më të rëndësishme të jetës së vet (përfshirë edhe shtatzëninë), Almeda Abazi tregon për herë të parë situatat me të cilat u përball, personin e parë që telefonon për ndihmë dhe dhuratën më të veçantë që ka marrë i vogli. Si çdo nënë e re edhe Almeda po thur ëndrra për të ardhmen e të birit, të cilin siç zbulon mes rreshtash as ajo, e as Tolga nuk kanë ndërmend ta lënë vetëm.

Almeda, na i përshkruaj ndjesitë e para kur more Efehan në krahë?

Nuk e di si ta përshkruaj është një ndjesi që vetëm ata që e kanë provuar më kuptojnë. Harrova çdo gjë që kisha jetuar më përpara, çdo të mirë e çdo të keqe, kjo i hodhi poshtë të gjitha…

Almeda, si u gjende ti përballë përgjegjësive të reja si nënë?

Sado e bukur po aq edhe e lodhshme, por me të vërtetë ja vlen çdo vështirësi.

Cilat ishin vështirësitë më të mëdha?

Lindja dhe më pas pagjumësia (qesh).



Ju lë Efehan pa gjumë?

Javët e para më shumë, tani ja kam arritur ta mësoj me orare.

Çfarë bën ti kur përballesh me një situatë të panjohur, hap librat, kërkon online, telefonon mjekun, mamin, apo kë?

Menjëherë mamin (qesh). Ajo më ka ndihmuar shumë si në shtatzëni po ashtu dhe tani, pasi kam dhe vëllain 5 vjeç, prandaj nuk është shumë larg si eksperiencë dhe për mamin.

Sa ndihmues është Tolgahan në gjithë këtë?

Më ka ndihmuar shumë dhe vazhdon të më ndihmoj, prandaj i jam shumë mirënjohëse… Ka raste që e bëjmë gjumin me turne (qesh).

Çfarë thonë familjarët, kujt i ngjan më shumë i vogli?

Të gjithë me mua në krye thamë “junior Tolga” pasi ishte një kopje i Tolgas ditët dhe javët e para, tani ka filluar të marrë hije dhe nga unë.

Si duket dhoma e tij?

Jam munduar ta mbaj sa më të thjeshtë pa shumë gjëra rreth e qark, mobiljet dhe çdo gjë tjetër e bardhë.

Kur i ka nisur mami Almeda blerjet për të voglin?

Që në muajin e tetë të shtatzënisë. Por me thënë të drejtën kanë ngelur dhe shumë rroba pa i veshur akoma, sepse rritet shumë shpejt. Tolga bën shpesh shakanë klishe: “i ruajmë për të dytin” (qesh).

Cilat janë dhuratat më mbresëlënëse që ka marrë Efehan?

Përkrah shumë e shumë dhuratave të bukura që ka marrë (ku dhe gjej rastin t’i falenderoj të gjithë), ajo më mbresëlënëse ishte dhurata e gjyshes (nëna e Tolgas) që më dhuroi paliçetat dhe batanijen e Tolgas që kishte ruajtur nga koha kur ai ka qenë 1 muajsh.



Me çfarë po e ushqen djalin?

Me gji dhe shpresoj të vazhdoj kështu deri në moshën 2-vjeçare.

Ke mbajtur një regjim për linjat e tua? Po bën diçka për të rënë në peshë?

Akoma jo, sepse më e rëndësishme për mua momentalisht është të ushqehet Efehan, prandaj nuk kam filluar dietën akoma.

Mami apo vjehrra, kush ndihmon më shumë me Efehan?

Të dyja, por siç thashë për mamin tim është diçka që e ka përjetuar përsëri së fundmi, prandaj është më e lehtë për të…

Dado, apo gjyshe, cila mendon ti se është zgjidhja më e mirë?

Vendin e gjyshes asnjëherë nuk e zë njeri besoj…

Çfarë ëndrrash thur për të?

Në shtatzëni dëgjoja vetëm muzikë klasike, tingujt e pianos më qetësonin shumë, gjatë lindjes po ashtu, por edhe tani. Efehan i ka gishtat e dorës të gjatë dhe të hollë prandaj kam shprehur dëshirën të bëhet pianist. Besoj se do të jetë gjëja e parë që unë do bëj kur ai të bëhet 4 vjeç, ta çoj në kurs për piano, por sigurisht është vendimi i tij çfarë do që të bëhet më vonë.

Keni bërë plane për pushime?

Me thënë të drejtën jo! Po jetojmë pushimet më të bukura të jetës, shtrirë me Efehan mes nesh (qesh).

A ndikon Efehan në ndalimin e përkohshëm të një jete sociale? I je dedikuar ti atij 100%?

I jam dedikuar 100% sa që e gjithë shoqëria më thotë mjaft se do e mësosh keq, por nuk më bëhet vonë të them të drejtën… le të mësohet. (qesh) Është dhurata më e bukur nga Zoti!/Revista Who/

Shtuar më 02/07/2019, ora 13:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori