BE padit Hungarinë për ligjet LGBT, lirinë e medias dhe çmimin e gazit

Komisioni Evropian tha se po e referon Hungarinë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ) për dyshimet për diskriminim ndaj personave LGBT, kufizime në lirinë e medias dhe çmimin e naftës që diskriminon automjetet e regjistruara si të huaja.

Në njoftimin e 15 korrikut, thuhet se kjo po bëhet si pjesë e paketës së tij të rregullt të vendimeve për “shkeljet” që rrezikojnë të drejtat, liritë themelore ose sundimin e ligjit midis shteteve anëtare.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka luftuar me Brukselin për një sërë çështjesh, që nga perceptimi i kthimit demokratik dhe të të drejtave, deri te sanksionet kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, zgjerimi dhe çështje të tjera të brendshme të BE-së.Çështja LGBT ka qenë një burim i veçantë acarimi. Qeveria e Orban miratoi ndryshime ligjore në qershor 2021 që tërhoqën kritika të ashpra nga Komisioni Evropian, Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës dhe anëtarët e komunitetit LGBT, të cilët thonë se stigmatizojnë pakicat seksuale dhe mbytin diskursin mbi orientimin seksual.

Orban ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për diskriminim dhe tha se legjislacioni lejon kontrollin prindëror për atë se çfarë lloj edukimi seksual marrin fëmijët në shkollë./REL