Kriza e Ukrainës! “DW”: Kthesë në Antalya?

Është një sukses për diplomacinë turke: Dy javë pas fillimit të sulmit ndaj Ukrainës do të zhvillohen bisedimet e para në nivel qeveritar mes Rusisë dhe Ukrainës. Takimi i ministrave të jashtëm Sergej Lavrov dhe Dmytro Kuleba është planifikuar për të enjten (10.03) në prani të ministrit të Jashtëm turk, Mevlyt Çavusoglu në kuadër të të ashtuquajturit forumi i diplomacisë në rajonin turistik Antalja. Në forumin, që zhvillohet rregullisht, mblidhen politikanë, diplomatë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme për të diskutuar bashkarisht.

Takimit të top-diplomatëve i kanë paraprirë përpjeket e zellshme diplomatike të Ankarasë. Në fundjavë presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan në një bisedë telefonike rreth një orë me kreun e Kremlinit Vladimir Putin përsëriti kërkesën e tij për armëpushim dhe në radhë të parë u angazhua për “korridore humanitare” dhe nënshkrimin e një marrëveshje paqeje. Erdogan më parë pati telefonuar edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyj.

Interesat turke për një zgjidhje paqësore të konfliktit janë të mëdha. Turqia si anëtare e NATO-s mban marrëdhënie të ngushta me të dy vendet.

Lidhje historike dhe ekonomike me Ukrainën

Me Ukrainën Turqinë e lidh një histori e përbashkët: Deri në fund të shekullit të 18 Krimeja ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Rreth pesë milionë tatarë kryesisht sunitë të Krimesë jetojnë në Truqinë e sotme. Aktualisht me financime turke ndërtohen ndër të tjera në Kiev shtëpi për tatarët e Krimesë, të cilët pas aneksimit të gadishullit më 2014 nga Rusia janë zhvendosur në pjesën kontinentale ukrainase.

Që nga viti 2017 qytetaret dhe qytetarët e të dyja vendeve mund të udhëtojnë pa viza. Kryesisht sa u përket marrëdhënieve ekonomike Ankaraja dhe Kievi pak para invazionit rus hapën një kapitull të ri në marrëdhëniet mes tyre. Në fillim të shkurtit qeveritë ranë dakord për një marrëveshje për tregtinë e lirë, me të cilën volumi i tregtisë dyfishohet. Më 2021 Turqia ishte investitori më i madh me një volum prej 4,1 miliardë eurosh në Ukrainë.

Për shkak të furnizimeve me armatime në Kiev, Ankaraja është indirekt pjesëmarrëse edhe në zhvillimet e luftës këto ditë. Qeveria ukrainase ditët e fundit ka publikuar herë pas here në rrjetet sociale video për aksione “të suksshme” kundër trupave ruse me dronët turq. Krahas dronëve Ukraina ka porositur edhe anije luftarake prodhim turk, të cilat duhet të përfrocojnë dukshëm praninë në Detin e Zi dhe në Deti Azov.

Influencë e kufizuar nga Moska

Presidenti Erdogan nuk e ka përvetësuar narrativën ruse me “operacion special”, por ka dënuar në mënyrë të përsëritur invazionin si “luftë”. Ai ka bllokuar pjesërisht kalimin në Bosfor për anijet luftarake rusedhe ka refuzuar njohjen e të ashtuquajturave republika popullore Donjeck dhe Luhansk nga Moska.

Por qeveria në Ankara nuk mund të bëjë më shumë se sa angazhimi për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, sepse varësia nga Moska është shumë e madhe. Volumi tregtar me Rusinë është gjashtë herë më i lartë se sa me Ukrainën. Më shumë se një e treta e nevojave për gaz Turqia i merr nga Rusia, centrali i parë atomik turk është ndërtuar nga firma shtetërore ruse Rosatom. Për sipërmarrjet turke të ndërtimit Rusia është tregu më i rëndësishëm jashtë vendit dhe turistët rusë përbëjnë grupin më të madh në Turqi.

Gjithashtu Turqia dhe Rusia janë të ndërlidhura ngushtë mes tyre në një sërë konfliktesh rajonale. Dy shembuj janë patrullat e përbashkëta ushtarake në Siri dhe një qendër të përbashkët për vrojtimin e armëpushimit në luftën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në Nagorni-Karabah.

Që për Turqinë prishja me Moskën mund të jetë shumë e dhimbshme, për këtë Ankaraja kujtohet mirë. Pas goditjes së një avioni luftarak rus dimrin e vitit 2015, pasi ai depërtoi në hapësirën ajrore turke, Rusia i pezulloi marrëdhëniet ekonomike për muaj të tërë. Pas disa muajsh qeveria turke u gjunjëzua, presidenti Erdogan shkoi në Shën Peterburg për t’i kërkuar falje Putinit.

Në sfondin e krizës së rëndë ekonomike dhe financiare dhe rënies së popullaritetit në sondazhe, udhëheqja turke nuk mund ta përballojë një bojkotim në ekonomi dhe turizëm.

Shpresa turke për “kthesë”

Ngajshëm si në konfliktin me Ankaranë para disa vjetësh tregohet tani udhëheqja ruse në prag të bisedimeve në Antalja. Kërkesat nga Moska në drejtim të Kievit janë të forta: Ukraina duhet të ndryshojë kushtetutën duke hequr dorë nga dëshira për anëtarësim në NATO. Në vend të kësaj duhet të përcaktohet neutraliteti i vendit. Gjithashtu Kievi duhet të njohë gadishullin e aneksuar të Krimesë si pjesë të Federatës Ruse si dhe dy rajonet separatiste Donjeck dhe Luhansk si shtete të pavarura. Të gjitha këto kërkesa Kievi i hedh poshtë.

Në sfondin e pozicioneve të ngrira në fillim të kësaj jave ishte befasues vlerësimi i ministrit të Jashtëm turk. I pyetur se çfarë pret nga ky takim, Mevlyt Çavusoglu u shpreh optimist. Ai tha, se shpreson që bisedimet të enjten do të jenë një “kthesë” për luftën në Ukrainë./DW


Shtuar 10.03.2022 08:30