Drafti për amnistinë: Si do të deklarohen paratë, shtëpitë dhe makinat

Ministria e Financave ka përfunduar draftin për amnistinë fiskale të njoftuar disa javë më parë nga kryeministri Rama, e cila duket se do të përfshijë edhe pasuritë e tjera krahas parave.

Në draftin e siguruar nga albeu.com janë përcaktuar kriteret dhe procedurat për legalizimin e pasurive të vendosura në forma të ndryshme deri më tani, ndërsa nxiten shqiptarët jashtë vendit që të sjellin në Shqipëri pasuritë e tyre.

Krahas emigrantëve, amnistia synon edhe t’u japë mundësi bizneseve që të fusin në qarkullon shuma fonde, të cilat deri më tani i kanë patur të padeklaruara.

Pas deklarimit, shteti shqiptar merr përsipër që të mos cënojë asnjërin prej atyre që kanë treguar për pasuritë e tyre që i kanë patur në të zezë duke theksuar gjithashtu se askush nuk do të pyetet se ku dhe si e ka bërë pasurinë.

Si do të bëhet deklarimi i parave

Procesi për deklarimin e parave nis me plotësimin e një formulari të posaçëm për këtë qëllim, me të cilin më pas do të bëjë depozitimin e parave në banke.

Pas plotësimit, formulari verifikohet nga njësia e posaçme që do të ngrihet për këtë qëllim dhe pas verifikimit, bashkë me formularin, qytetari shkon në bankë dhe depoziton paratë.

Pas deklarimit të depozitimit të parave në bankë, qytetari do të konsiderohet se i ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore sipas ligjeve në fuqi.

Deklarimi i pasurive të tjera

Projektligji parashikon deklarimin e pasurive të tjera krahas parave, të cilat mund të jenë pasuri të paluajtshme, makina, etj.

Deklarimi i tyre do të bëhet sërish përmes plotësimit të një formulari, specifikat e të cilit do të dalin me udhëzim të ministrit të Financave pas miratimit të ligjit.

Madje, nëse pasuritë e deklaruara janë prona, deklaruesi ka prioritet për regjistrimin e tyre në hipotekë.

Tatimi i posaçëm në burim

Në rastet e deklarimit të parave apo pasurive të paluajtshme, deklaruesi paguan:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit

b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit

c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit. /albeu.com/


Shtuar 9.06.2020 11:26