Manastirliu: Buxheti për kujdesin spitalor do të jetë mbi 31 miliardë lekë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë degjesës për buxhetin 2022 në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë tha buxheti për kujdesin spitalor do të jetë mbi 31 miliardë lekë.

“Programi i kujdesit spitalor do të ketë një buxhet prej 31 miliard e 763 milionë lekë pa përfshirë këtu kontributet e sigurimeve shoqërore të cilat në vitin 2022 planifikohet të jenë 15 miliard lekë. Me buxhetin 2022 do të garantohet mbulimi 100% falas i paketave mjekësore, duke përfshirë dializën, transplantin e veshkave, të gjithë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirugjisë, të radioterapisë, kataraktit, për mbi 15 mijë pacientë në vit. Do të vijojë fuqizimi i spitaleve universitare, rajonale, bashkiake me aparatura mjekësore, pajisje biomjekësore të teknoligjisë së avancuar”, tha Manastiliu.

Ministrja gjithashtu u shpreh se spitali Memorial Rajonal Fier do të ketë një fond shtesë, për t’i hapur rrugë një modeli të ri të autonomisë spitalore.

“Do të financojmë spitalin Memorial në Fier, duke garantuar ofrimin e shërbimeve terciare për më shumë se 330 mijë banorëve të zonës së jugut. Por gjithashtu sipas sistemit të referimit edhe për të gjithë qytetarët e tjerë të cilët kanë nevojë që të marrin shërbime të nivelit terciar në këtë spital”, tha Manastirliu./albeu.com