Open Balkan, Escobar: Dy kushtet që duhen plotësuar që SHBA ta njohë

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se janë dy kushtet që duhen plotësuar në mënyrë që “Open Balkan” të njihet. Kushti i parë të plotësohen plotësojë standardet e Berlinit që ka vendosur Bashkimi Evropian dhe së dyti të jetë i hapur për të gjitha vendet e rajonit.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se Ballkani i Hapur është një nismë pozitive, por a mund të jetë efektive pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit?

Gabriel Escobar: Nuk mundet. Dhe ky është kushti me të cilin ne e mbështesim: Së pari që të plotësojë standardet e Berlinit që ka vendosur Bashkimi Evropian. Dhe së dyti që të jetë i hapur për të gjitha vendet Dhe praktikisht nuk funksionon pa të gjitha vendet. Nuk mund të ndërpriten tubacionet, nuk mund të ndërpriten autostradat. Nuk mund të kesh një zonë të tregtisë së lirë nëse të duhet të ndalosh diku në mes të rrugës dhe të kesh kamionë që presin në radhë për pesë orë, kështu që nisma duhet t’i përfshijë të gjitha vendet në mënyrë që standardet të jenë evropiane sepse në fund të fundit, për të pasur një zonë të tregtisë së lirë, duhet të kesh institucione që të mund t’i menaxhojnë mallrat dhe paratë në mënyrë efektive. Pra, bëhet fjalë për standarde dhe këto janë dy kushtet: që të jetë i hapur për të gjithë dhe të ndiqen standarde dhe institucionet e duhura. Këto janë kushtet e mbështetjes sonë për këtë projekt.

Escobar ka folur dhe për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për problemet që Bullgaria i ka krijuar Maqedonisë së Veriut? A do të vazhdojë të jetë një proces i përbashkët integrimi për këtë vend dhe Shqipërinë?

Gabriel Escobar: Mendoj se të dyja vendet kanë fituar të drejtën për të hapur konferencat ndërqeveritare. Ne e mbështesim një gjë të tillë. Ne e mbështesim anëtarësimin e të dyja vendeve, sa më shpejt të jetë e mundur. Po shohim sinjale pozitive si nga Sofia edhe Shkupi. Kështu që po, vazhdoj të shpresoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të lëvizin me shpejtësi në atë drejtim.

Zëri i Amerikës: Shpresat për integrimin në BE janë paraqitur si argumente për të dyja vendet që të angazhohen në mënyrë konstruktive për një zgjidhje përfundimtare. Por duke qenë se zgjerimi nuk duket të jetë në krye të axhendës në BE, a është ky një mjet efektiv?

Gabriel Escobar: Mendoj se Bashkimi Evropian ka sinjalizuar disa herë që se zgjerimi është qëllimi i tyre strategjik. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një proces shumë më i shpejtë.

Dhe janë të shumtë ata në Bashkimin Evropian që pajtohen me ne në këtë drejtim. Pra duhet të ndodhë. Është një prioritet strategjik.

Kjo është një pjesë e Evropës. Është një pjesë integrale e Evropës dhe mendoj se popujt e këtij rajoni duhet të kenë një vend në tryezë në Bashkimin Evropian. Pra po, kjo do të vazhdojë të jetë politika jonë dhe do të vazhdojë të jetë pika kryesore e dialogut tonë me Evropën. Dhe besoj se edhe ata e e kanë të qartë këtë./albeu.com


Shtuar 12.01.2022 18:39