Vuçiç kërcënon Kosovën: Buxheti ynë për ushtrinë, 10 herë më i lartë se ai i Albin Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vazhduar me kërcënime e provokime ndaj Kosovës.

Vuçiç i ka vënë në shënjestër të gjitha autoritetet qeverisëse, përfshi edhe kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç i kritikoi të gjithë, që nga shtetet e rajonit deri te bashkësia ndërkombëtare, duke u kujdesur që ta lavdërojë KFOR-in, por pa e theksuar NATO’n.

Ai njoftoi se ka synim që shërbimi ushtarak në Serbi të jetë i detyrueshëm për qytetarët serbë, përveç ushtrisë profesionale.

U kujdes ta shtojë se nuk brengoset fare se çfarë mendojnë në rajon për përforcimin e ushtrisë serbe, pasi kishte përgatitur batutën për kryeministrin Kurti dhe liderët tjerë ballkanik.

“A iu kam borxh atyre t’iu raportoj, apo popullit tonë? Çfarë doni, që ne të jemi thes boksi e të na godasin, përkundër heroizmit të ushtarëve dhe oficerëve tanë, sikur të nëntëdhjetave. E ata që po armatosen që të gjithë. Që po veçojnë nga 20 përqind të municioneve të tyre nëpër depo. E pse po blini helikopterë nga SHBA dhe kundërajror nga Gjermania pra. Kë doni të sulmoni, Austrinë apo Slloveninë? Kurti tha se do të ketë 130 milionë buxhet për ushtri. S’ka problem, ne do të kemi një miliardë e gjysmë”, tha Vuçiç./albeu.com/