“FT”: Edhe 5 vite të tjera në krye, por Erdogan nuk është aq i plotfuqishëm sa duket

Nga Simon Kuper “Financial Times”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë 20 viteve të fundit, duke llogaritur edhe sundimin e Recep Tayyip Erdogan, Stambolli është transformuar shumë. Zyrtarisht, popullsia e qytetit është 2-fishuar, duke arritur në 16 milionë banorë, ose pothuajse aq sa Londra dhe Nju Jorku të marra së bashku.

Por numri real i banorëve mund të jetë shumë më i lartë. Në këtë mjedis të mrekullueshëm urban pranë Bosforit, kompanitë e ndërtimit me shumë lidhje me pushtetin, kanë ndërtuar një qytet të ri të shëmtuar – në fakt një koleksion qytetesh – plus aeroportin më të mbingarkuar të Evropës.

Zakonisht bllokimi i trafikut nëpër rrugë shtrihet aq sa të sheh syri në horizont. Presidenti i sapozgjedhur islamiko-nacionalist i Turqisë, po ua bën jetën të vështirë banorëve laikë të Stambollit.

Për ta ka gjithnjë e më pak lagje ku mund të jetojnë si të duan.

Po shtohen xhamitë e reja të mëdha, ndërsa Erdogan e ka shndërruar në një xhami ish-kishën dhe muzeun “Hagia Sophia”. Taksat e larta mbi konsumin e alkoolit, e kanë kthyer birrën në një luks. Kur e pyeta një turk laik se si ndihej pas rizgjedhjes së Erdogan në krye të vendit, ai m’u përgjigj:“Kam një ndjenjë midis zemërimit, dëshpërimit dhe dëshirës për vetëvrasje!”.

Unë do të desha të di se ku po planifikon ta çojë Turqinë Erdogan. Në fillim supozova se pasi kishte fituar edhe një mandat të ri 5-vjeçar, me shumë kundërshtarë politikë të burgosur dhe media të mbyllura apo kontrolluara prej tij, ai ishte më i gjithëfuqishëm brenda dhe më i fortë jashtë vendit sesa çdo udhëheqës i mëparshëm i Turqisë.

Në fakt, këtë herë u largova nga Stambolli i befasuar nga kufizimet që ekzistojnë rreth tij. Erdogan nuk është një udhëheqës dhe aq i fortë sa besohet. Nuk ka dyshime se ai është një politikan i shkathët, që do të kishte arritur majat në çdo sistem politik në të cilin do ta gjente veten.

Nëse e përfundon mandatin që sapo ka nisur – shëndeti i tij i dobët është shpresa e fundit e kundërshtarëve të tij – ai mund të bëhet udhëheqësi kombëtar i zgjedhur më jetëgjatë në Evropë që nga shekulli i kaluar. (Me shumë hezitim po ia atribuoj këtë titull presidentit finlandez Urho Kekkonen nga viti 1956-1982).

Erdogan e ka ndryshuar shumë Turqinë. Që nga viti 2003, ai i ka shkatërruar institucionet e saj demokratike. Freedom House, një organizatë e njohur ndërkombëtare, e uli në vitin 2018 statusin e Turqisë nga një vend “pjesërisht i lirë” në “jo i lirë”.

Ai po mbledh rreth vetes një grupi të ri besnikësh, për t’i vendosur në pozitat kyçe në parti-shtetin të tij. Nuk është çudi që partia e tij, AKP, ka aktualisht 11.2 milionë anëtarë. Shkollat ​​islamike po lulëzojnë në të gjithë Turqinë, ndërsa Erdogan e ka shtrënguar në nivele pothuajse totalitare kontrollin e tij ndaj medias.

Pozicioni i tij dominues përbën një lloj përmbushjeje dëshire ndaj mbështetësve të tij që i përkasin kryesisht shtresës më të ulët, thotë Soli Özel nga Universiteti Kadir Has. Jashtë vendit, vendi dikur periferik e gjen veten pranë epiqendrës së hartës së re gjeopolitike.

Tani çdo fuqi e madhe ka nevojë për rolin e Turqisë. Erdogan bisedon me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy, dhe ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes që i lejon Ukrainës  të eksportojë grurë përmes Detit të Zi.

Presidenti turk i shantazhon evropianët me kërcënimin e nënkuptuar se nëse e pengojnë, ai do të dërgojë në Perëndim rreth 4 milionë refugjatë sirianë që gjenden në Turqi. Si miku më i mirë i Putinit brenda NATO-s, ai po bllokon anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake. Ai flet me entuziazëm për një “shekull turk”. Megjithatë, një sundimtar e ka shumë më të vështirë ta dominojë Turqinë sesa të themi Rusinë apo Arabinë Saudite. Fati i mirë politik i këtij vendi, është ekonomia e tij e hapur dhe e larmishme. Dhe ajo ka në dispozicion pak burime natyrore për t’u shtënë në dorë nga një elitë grabitqare.

Turqia e importon pjesën më të madhe të energjisë dhe ushqimeve që konsumon. Ajo ka nevojë për tregjet perëndimore të eksportit dhe për turistët, sidomos tani në mesin e krizës së saj më të keqe ekonomike gjatë epokës Erdogan. Rezervat valutore neto janë kthyer në norma negative.

Inflacioni ishte 86 për qind vitin e kaluar dhe aktualisht, të paktën zyrtarisht, është 40 për qind. Në një ditë të keqe, turqit mund të pësojnë 5 për qind ulje page pikërisht për shkak të inflacionit. Pra siç shihet edhe një udhëheqës autoritar nuk mund t’i mashtrojë dot tregjet.

Gjatë zgjedhjeve të muajit të kaluar, ai u betua se do të vazhdojë politikën e tij të normave të ulëta të interesit, e cila e sfidon hapur realitetin. Pasi u rizgjodh për një mandat të ri, Erdogan iu përkul realitetit, duke vendosur në krye të Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore, 2 teknicienë të cilët pritet të dyfishojnë normat bazë të interesit.

Tej sjelljes prej të forti në publik, Erdogan është në fakt një lider oportunist që e vlerëson pushtetin mbi ideologjinë. Ai i kupton shumë mirë se cilat janë dobësitë e tij. Jashtë vendit, ai nuk ka aleanca të qëndrueshme, nuk ka miq të besuar në Perëndim, prandaj është më i dobët se sa e mendon shumica, thotë Sinan Ülgen, drejtor i grupit të ekspertëve në institutin kërkimor EDAM.

Erdogan nuk mund të mbështetet as tek ushtria për ta mbajtur atë në pushtet. Kultura e fortë demokratike e Turqisë, ka siguruar vazhdimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Zonat më të pasura – Stambolli, qytetet e tjera bregdetare dhe Ankaraja – kanë ende mundësi të shprehen me votë kundër tij, ashtu si shumica e kurdëve.

Ai aspiron ndoshta të zbusë dhe jo ta shkatërrojë plotësisht Turqinë laike. Por as këtë nuk mund ta arrijë. Lëvizja e fuqishme e grave po praktikon “feminizmin mbrojtës” për të drejtat e grave, thotë aktivistja Özlem Altiok. Tani kundërshtarët e tij janë të përgatitur për sulmin e tij të ardhshëm.

Personat e komuntetit LGBT+ janë objektivi më i cenueshëm, paralajmëron avokatja për të drejtat e njeriut Oya Aydin. Por rezistenca laike dhe demokratike është e gjallë dhe ajo po përpiqet të sigurojë që zgjedhjet e muajit të kaluar të mos jenë barrikada e fundit e demokracisë turke.


Shtuar 23.06.2023 15:11