EMRI/ Shpërndante kokainë në zonën e Komunës së Parisit, arrestohet një person në Tiranë

Policia ka ushtruar një aksion policor në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Për pasojë, sektori kundër narkotikëve në DVP Tiranë, ka vënë në pranga një person të identifikuar si Artur Zhuleku.

Mësohet se i arrestuari posedonte rreth 400 gram lëndë narkotike të llojit kokainë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Komuna”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta.

Vihet në pranga 1 shtetas që shpërndante doza kokaine.

Sekuestrohet një pako me 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e gatshme për t’u ndarë në doza.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në të dhënat e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Komuna”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. Zh., 47 vjeç, banues në Tiranë.

Në rrugën “Bill Klinton”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin A. Zh., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i gjetën dhe i sekuestruan 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kokainë, e përgatiste atë në doza dhe i shpërndante ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e Komunës së Parisit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com