Kompania Merck kërkon miratimin e ilaçit kundër COVID-it

Kompania farmaceutike Merck i kërkoi sot agjensisë rregullatore amerikane të autorizojë ilaçin e saj për trajtimin e COVID-19ës, që do të shtojë kështu një armë krejtësisht të re në arsenalin botëror kundër pandemisë.

Nëse miratohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), një vendim që mund të merret edhe brenda disa javëve, ky do të bëhej ilaçi i parë në formë pilule që mund ta luftojë sëmundjen. Të gjitha trajtimet e tjera të mbështetura nga FDA-ja kundër COVID-19ës administrohen në rrugë intravenoze.

Një pilulë antivirale që njerëzit do të mund ta marrin në shtëpi për të zvogëluar simptomat dhe për të përshpejtuar rikuperimin mund të jetë një arritje shumë e rëndësishme, që do të lehtësonte ngarkesën në spitalet amerikane dhe do të ndihmonte për frenimin e infektimeve në vendet më të varfëra që kanë një sistem të dobët të kujdesit shëndetësor. Do të inkurajohej gjithashtu përqasja në dy fronte përkundër pandemisë: trajtimi nëpërmjet ilaçeve dhe parandalimi kryesisht nëpërmjet vaksinimit.

FDA-ja do të shqyrtojë të dhënat e kompanisë për sigurinë dhe efektshmërinë e ilaçit, të quajtur molnupiravir, përpara se të marrë një vendim.

Kompania Merck dhe kompania partnere Ridgeback Biotherapeutic thanë se i kanë kërkuar agjensisë FDA të japë autorizimin për përdorimin në kushte emergjence për personat në moshë madhore të sëmurë lehtë ose në nivel të moderuar nga COVID-19a, të cilët rrezikohen të sëmuren rëndë ose të shtrohen në spital. Këto janë pak a shumë kushtet në të cilat përdoren aktualisht ilaçet intravenoze.

“Në këtë rast ka vlerën se është një pilulë, për të cilën nuk duhet të shkoni në qendra transfuzioni dhe gjithë vështirësitë që kjo nënkupton”, thotë dr. Nicholas Kartsonis, nënpresident në divizionin për sëmundjen ngjitëse të kompanisë Merck. “Mendoj se është një mjet shumë i fuqishëm që do t’i shtohet arsenalit”.

Kompania njoftoi më herët këtë muaj se ilaçi përgjysmoi shtrimet në spital dhe rastet e vdekjeve ndër pacientët me simptoma të hershme të COVID-19ës. Rezultatet ishin aq të forta sa ekspertët e pavarur të mjekësisë që monitoronin provat rekomanduan ndaljen e tyre të parakohshme.

Efektet anësore ishin të ngjashme mes pacientëve që morën ilaçin dhe atyre në një grup testimi që morën një hapje false. Por, kompania Merck nuk i ka zbërthyer publikisht llojet e problemeve të raportuara, të cilat do të bëhen pjesë e rëndësishme e shqyrtimit nga FDA-ja.

Zyrtarët e lartë amerikanë të shëndetësisë vazhdojnë të rekomandojnë vaksinimin si mënyrën më të mirë për t’u mbrojtur nga COVID-19a.

“Është shumë, shumë më mirë të parandaloni sëmundjen se sa t’ju duhet të kuroni infeksionin”, tha Dr. Anthony Fauci javën e kaluar ndërsa po diskutonte për ilaçin e kompanisë Merck.

Ende nuk janë vaksinuar rreth 68 milionë amerikanë që kualifikohen për t’u vaksinuar, duke vënë kështu në pah nevojën për ilaçe efikase që do të kontrollojnë valët e ardhshme të sëmundjes.

Mundësia e një ilaçi kundër COVID-19ës vjen së bashku me shenja të tjera inkurajuese. Rastet e reja të përditshme në Shtetet e Bashkuara kanë zbritur nën mesataren prej 100 mijë, për herë të parë në gati dy muaj. Gjithashtu, vdekjet kanë rënë në rreth 1700 në ditë, krahasuar me 2 mijë në ditë tre javë më parë.

Gjithashtu, numri i vaksinimeve të administruara në ditë e ka kaluar shifrën 1 milionë, një rritje me pothuajse 50% gjatë dy javëve të fundit, e nxitur nga miratimi i dozave përforcuese dhe detyrimit për vaksinimin në qendrat e punës.

Sidoqoftë, autoritetet e shëndetësisë po përgatiten për një tjetër valë të madhe infektimesh me ardhjen e motit të ftohtë që do t’i detyrojë njerëzit më shumë drejt ambienteve të mbyllura.

Që nga fillimi i pandemisë, ekspertët e shëndetësisë kanë theksuar nevojën për një pilulë praktike. Objektivi është që të arrihet diçka e ngjashme me Tamiflu-në, ilaçi që përdoret prej 20 vjetësh për shkurtuar efektin e sëmundjes me një ose dy ditë, si dhe për të zbutur simptomat si temperatura, kolla dhe bllokimi i hundëve.

Tre ilaçe antitrupash të autorizuara nga FDA-ja kanë rezultuar shumë efikase për zvogëlimin e rasteve të vdekjes nga COVID-19. Por, ato janë të kushtueshme, të vështira për t’u prodhuar dhe për administrimin e tyre duhen paisje të specilizuara dhe profesionistë të mjekësisë.

Nëse do të jepet miratimi nga FDA-ja, qeveria amerikane ka rënë dakort të blejë pilula të mjaftueshme për të trajtuar 1.7 milionë njerëz, me një çmim prej rreth 700 dollarësh për person. Ky është pothuajse gjysma e çmimit e ilaçeve të antitrupave të blera nga qeveria amerikane, me gati 2 mijë dollarë për një injeksion, por sërish më të shtrenjta se shumë ilaçe antivirale që përdoren për sëmundje të tjera.

Dr. Kartsonis i kompanisë Merck tha në një intervistë se shifra prej 700 dollarësh nuk përfaqëson çmimin përfundimtar për këtë ilaç.

“E përcaktuam atë çmim përpara se të kishim të dhënat, pra është vetëm një kontratë”, tha ai. “Sigurisht që do të jemi të përgjegjshëm dhe do ta bëjmë këtë ilaç të disponueshëm për sa më shumë njerëz të jetë e mundur në mbarë botën”.

Kenilworth, po i kompanisë Merck, thotë se janë në bisedime për blerjen e ilaçit nga qeveri në mbarë botën dhe se do të përdoret një sistem i luhatshëm i çmimit, bazuar në mundësinë ekonomike të secilit vend. Kompania ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje me disa kompani farmaceutike indiane për të prodhuar versione të ilaçit me kosto më të ulët për vendet me të ardhura të ulëta.

Disa kompani të tjera, ndër to edhe Pfizer dhe Roche, po hulumtojnë ilaçe të ngjashme dhe pritet të njoftojnë rezultatet në javët dhe muajt në vazhdim. Kompania AstraZeneca gjithashtu po kërkon autorizimin e FDA-së për një ilaç antitrupash me efekt afatgjatë që do të ofronte disa muaj mbrojtje për pacientët që kanë çrregullime të sistemit imunitar dhe nuk kanë reagim të mjaftueshëm nga vaksinimi.

Disa ekspertë parashikojnë se në të ardhmen do të jepen terapi të ndryshme ndaj COVID-19ës për t’u mbrojtur nga efektet më të këqija të virusit./VOA


Shtuar 12.10.2021 15:29