Papa flet për raportin e pedofilisë: Turpi është i yni

Papa është shprehur se raporti i publikuar para dy ditësh që nxorri më shumë se 3 mijë priftërinj të përfshirë në skandale të pedofilisë është një trishtim shumë i madh për Kishën dhe turpi sipas Papës i mbetet Kishës Katolike.

“Unë dëshiroj t’u shpreh viktimave trishtimin tim, dhimbjen time për traumat që kanë pësuar dhe gjithashtu turpin tim, turpin tonë për paaftësinë e madhe e Kishës për ta vënë atë në qendër të shqetësimit të saj. Le të lutemi: për ty Zot lavdi, për ne turp, ky është momenti i turpit”, tha Papa në fjalën e tij teksa drejtoi dhe një lutje.

Papa shprehu shqetësim për numrin e lartë të priftërinjve të përfshirë në skandalin e “pedofilëve” dhe kërkoi që kjo gjë të mos përsëritej më kurrë.

“Unë inkurajoj peshkopët dhe eprorët fetarë që të vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet në mënyrë që tragjedi të ngjashme të mos ndodhin më. Unë shpreh afërsinë dhe mbështetjen time atërore ndaj priftërinjve të Francës dhe përballimit të kësaj sprove të vështirë. Ftoj katolikët francezë të marrin përgjegjësitë e tyre për të siguruar që Kisha është një shtëpi e sigurt për të gjithë ”, tha Papa.

Ai është përshëndetur me duartokitje të gjata nga besimtarët e pranishëm në auditorin e gjerë./albeu.com