Counter Strike shqiptar
Albeu.com
Trazirat në Shqipëri dhe horlluqet e procesit zgjedhor në Kosovë kanë nxitur shumë komente përgjithësuese se vërtet ne shqiptarët qenkemi një në hajni dhe mosrespektimin e demokracisë e të ligjeve. Shumë veta përmendin gjenet dhe gjakun, kinse këto gjëra që po na ndodhin qenkan një paradestinim dhe kob biologjik, ose infektim i rëndë me gjakun dhe gjenet e huaja. Nëse do të ishte kështu, vaj hallit, sepse defektet gjenetike kolektive dalin të pashërueshme dhe çojnë te arsyetimet e teorive fashiste dhe gjenocidale që argumentojnë për pastrimin dhe ndërrimin e gjakut. Kjo matricë edhe vërehet kur njerëzit e emocionuar, fansat e një krahu politikë, i shpjegojnë dështimet dhe kriminalitetin e Sali Berishës me atë se dhuna ndaj demokracisë tek ai tregon se i ka gjenet ose gjakun serb apo grek, dhe po të njëjtat etiketa “gjenerike” përdoren edhe për Edi Ramën nga ata që atë, dhe jo Berishën, e konsiderojnë filoserb dhe filogrek, që mision e ka dhunimin e demokracisë shqiptare.

Është interesant se në këto koret e zërave që kanë gjet livadh të “liberalizmit pa kufi” nëpër portalet e internetit (edhe në shtyp), ku shpesh nuk ka as censurë minimale përmbajtjesore dhe gramatikore, në totalin e këndimit të melodive fashiste dallohet qartazi zëri i të “majtës” që ia mban ison Ramës dhe i të “djathtës” që ia mban ison Berishës. Për më shumë, në portalet e Shqipërisë dominues është demonizimi i Berishës si “gjak i huaj”, kurse në portalet kosovare rolin e përbindëshit të huaj kryesisht e ka Rama. Nëse dy taborët virtuale do t’i rreshtonim në fallanga, mund të imagjinohet konfrontimi gjigant do të ndodhte një Counter Strike shqiptar, ku mijëra ushtarë të Ramës do të luftonin dhe ekzekutonin ata të Berishës dhe këta të Berishës ata të Ramës, dhe do të ishte aty edhe një ushtri e tretë inferiore dhe minorane e fanëve të Metës, që do ta kishte rolin e xhokerëve për bonuse dhe fitore të dy kryprotagonistëve.

Ky Counter Strike me një konfiguracion pak më ndryshe dhe me pak më shumë xhokerë të transformueshëm ose të shitshëm herë “majtas” herë “djathtas” vlen edhe për skenën politike të Kosovës, ku lojtarët kryesorë, ose përbindëshit kryesorë, aktualisht janë Thaçi dhe Mustafa, me pretendentë tjerë si Haradinaj, Kurti, Pacolli e ca të tjerë, ylli i të cilëve herë bën pak dritë e herë ngryset.

Po të bashkonim virtualisht të gjithë shqiptarët në një shtet, mund të imagjinojmë se si do të dukej ky Mega Counter Strike shqiptar, ku do të konfrontoheshin të kuqtë dhe të kaltrit në luftën e pamëshirshme për shfarosjen e “gjakut” dhe “gjenit” të huaj.
Janë disa që thonë se duhet të injorohet ky fenomen i diskurseve ekstreme politike, sepse i ngjan një pornografie politike, ku njerëzit e frustruar thjesht virtualisht zbrazin paragjykimet, emocionet dhe energjitë tepricë që kanë. Por, unë mendoj se nuk duhet të jemi aq liberalë që të lejojmë, as virtualisht, një triumf të këtillë të ekskluzivizmave fashiste, qoftë nga e “majta”, qoftë nga e “djathta”. Sepse ushtrimi retorik i dhunës ndaj tjetrit mund të bëhet nxitës dhe lehtësues për ushtrimin e dhunës edhe ndaj Tjetrit, që konsiderohet armik dhe me “gjak” e “gjene” të papastra edhe në realitet.
E premtja e përgjakshme në Tiranë, të mos paragjykojmë deri në fund, ndoshta është vetëm një incident i rrezikshëm, i cili shpresojmë se nuk do të eskalojë në trazira dhe gjakderdhje më tragjike. Por, nuk duhet të jemi pa shqetësime për burimin e kësaj krize në Shqipëri dhe potencialisht, në një shkallë më pak të avancuar, edhe në Kosovë. Kjo për arsye që gjuha që nxit dhe arsyeton dhunën ndaj tjetrit, e që haptazi shfaqet në komentet e portaleve, në të vërtetë është gjuhë e njëjtë që e flasin Berisha dhe Rama në adresat dhe akuzat që i kanë për njeri-tjetrin dhe që ison ia mbajnë edhe protagonistët tjerë në elitat politike, me nuanca të ndryshme të moderimeve dhe të maskimeve andej dhe këndej kufijve që i ndajnë shqiptarët (në Maqedoni tashmë ashiqare me denoncime të shpiunllëqeve dhe tradhtive, në Kosovë me kërcënime se do të shpallen listat e hafijeve dhe armiqve të brendshëm).

Shpërthimi dhe tragjedia e Tiranës është thjesht vazhdim në realitet i luftës së pamëshirshme retorike, që përsëritet aq shumë kohë mes dy taborëve në Shqipëri. Dhe nëse në një moment njëra prej fallangave ekstreme rreshtohet para Kryeministrisë për të protestuar “hajninë, krimin dhe shkatërrimin e Shqipërisë”, dhe kundërshtohet një pushtet që është shpallur jolegjitim dhe që duhet të rrëzohet, nuk mund të pritet që masa e ndezur të tregojë vetëpërmbajtje dhe të dallojë virtualen nga realja. Konfrontimi dhe ekzekutimi virtual dhe retorik në Counter Strike shqiptar të të premtes së përgjakshme, për mua, ka qenë një shndërrim i ekzekutimit virtual të armikut në një gjakderdhje reale. Kur e them këtë, nuk dua të kuptohem njëanshëm, se masa e protestuesve është nxehur vetëm me diskursin ekstrem militant të Ramës, por përgjegjës për tragjedinë është po aq edhe diskursi ekstrem ofendues dhe nxitës i Berishës.

Çështja e burimit dhe pasqyrimit të dhunës nuk duhet të shtrohet në dimensionin e paradoksit filozofik të shkak-pasojës në pyetjen se cila është më e vjetra, veja apo pula. Urtësia e qeverisjes dhe e drejtimit të institucioneve shtetërore, sidomos të forcave të rendit, kërkon gjakftohtësi, jo kthimin e forcave të rendit në fuqi të dhunës së partizuar.

Një vërtitë për Countra Striken real në Kosovë e pamë në Prishtinë më 12 dhjetor, kur fanët e Thaçit dhe Mustafës marshonin njëri pranë tjetrit në qendër të qytetit, por i ndante policia e Kosovës, e cila megjithatë nuk është e partizuar. Nëse nuk mbledhim mend, nëse nuk ndalojmë diskurset përjashtuese fashiste, duke përfshirë edhe ato virtualet, nuk mund të flemë qetë. Nuk mund të jemi të qetë as ne në mediumet shqiptare që mendojmë se po përhapim “lirinë” e fjalës, por që në të vërtetë, duke lejuar diskurse fashiste dhe likudimet virtuale, vetëm sa sponsorojmë lirinë e urrejtjes së skajshme vetëshkatërruese. (express)
Shtuar më 24/01/2011, ora 10:32
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori