Cili është gabimi në zgjedhjen e Pacollit
Albeu.com
Paragrafi i katërt i Nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës thotë: “Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.” Ky formulim i paragrafit është bërë shkas për ankesën e grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së, se në rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit në postin e Presidentit të Kosovës është bërë shkelja e Kushtetutës së Kosovës. Ata konsideronin se ky paragraf nënkupton prezencën detyruese të 2/3 të deputetëve gjatë aktit të zgjedhjes së Presidentit, ndërkaq që në tri raundet e votimit në sallën e Kuvendit kanë qenë vetëm 67 deputetë, pasi deputetët e LDK, AAK dhe të Lëvizjes Vetëvendosja i kanë bojkotuar seancat zgjedhore të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pardje, më 28 mars, me shumicë votash ka konstatuar se ankesa është e drejtë dhe se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën. Mirëpo, arsyetimi për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk është publikuar; pritet që të shpallet më 30 mars (sot).

Duke lexuar dhe rilexuar paragrafin dhe nenin që praktikisht do të duhej të çonte drejt anulimit të zgjedhjes së Pacollit për President të Kosovës, nuk mund të mos hetohet se fjalia kyçe që ka sjellë pasojën, nuk është formuluar juridikisht në mënyrën që do të përjashtonte mundësinë e interpretimit alternativ të paragrafit. Formulimi i saktë juridik për atë se në votimin për Presidentin detyrimisht duhet të janë në sallë dhe në votime 2/3 e deputetëve, do të duhej të ishte: “Zgjedhja e Presidentit bëhet pasi sigurohet prezenca e dy të tretave (2/3) të deputetëve të të gjithë deputetëve të Kuvendit.” Dhe në vazhdim, ose si paragraf i veçantë, do të duhej të figuronte konstatimi i mazhorancës kualifikuese që në raundin e parë dhe të dytë mundëson zgjedhjen e Presidentit, se ai duhet të fitojë dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Intenca burimore e paragrafit problematik nuk ka qenë konstatimi i numrit kualifikues të deputetëve, që votimin për Presidentin e bëjnë valid, por të konstatojë se sa vota duhet t’i marrë kandidati në dy raundet e para të votimit, në mënyrë që të zgjidhet për President, dhe ky numër është 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Mendoj se Gjykata Kushtetuese e Kosovës në këtë rast ka bërë një interpretim të tillë të paragrafit 4 të nenit 86, ku anashkalohet dykuptimësia e saj. Në tërësinë e Nenit 86 kuptohet qartë se intenca e atyre që e kanë bërë Kushtetutën ka qenë theksimi se në dy votimet e para kandidati duhet të marrë 2/3 e votave, kurse në votimin e tretë mjafton shumica e thjeshtë (1/2 plus 1) e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Neni nuk e ka intencë që të përcaktojë prezencën e deputetëve në seancë, sepse për këtë do të duhej të ndryshonte edhe mënyra e formulimit të nenit dhe paragrafëve. Nëse Kushtetuta do të kërkonte numrin e saktë të prezencës së deputetëve, kjo do të duhej të shprehej juridikisht qartë.

Një verdikt më i drejtpeshuar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi këtë rast do të ishte nëse do të konstatohej ambiguiteti i Nenit 86 dhe paragrafit 4, dhe jo siç ka bërë, ta shpallë votimin për Pacollin jokushtetues në bazë të një interpretimi që në esencë është sofist dhe manipulon me mangësinë gjuhësore të tekstit të Kushtetutës.

Sidoqoftë, duhen pritur argumentet dhe rekomandimet e plota të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të vlerësuar rolin e kësaj Gjykate në vazhdimin e krizës politike në Kosovë. Por, ajo që shihet qartë, është kultura përgjithësisht e ulët politike dhe interpretuese e të gjithë faktorëve, nga hartuesit e Kushtetutës, deri te Kuvendi, Qeveria, ekspertët qeveritarë, juristët, mediat, analistët dhe shoqëria civile në Kosovë, që nuk e kanë hetuar me kohë formulimin ambig dhe me pasoja të rënda procedurale dhe politike në paragrafin 4 të Nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës. (mapo)
Shtuar më 30/03/2011, ora 10:00
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori