Zbuloni nëse keni nevojë për më shumë gjumë
Pëlqej
Gjumi është i domosdoshëm për funksionimin adekuat të organizmit. Por, çdo i treti person nuk fle sa duhet. A jeni ju njëri nga ta?

Edhe pse mundemi që një të tretën e jetës ta kalojmë duke fjetur, disa ende nuk e kanë të qartë se çka do të thotë gjumi për trupin tonë dhe se si funksionon saktë. Mungesa e gjumit shkakton stres, për çka përshpejtohet puna e zemrës dhe ngrihet tensioni i gjakut.

Gjendjet mjekësore siç është diabeti në mënyrë të shtuar rrisin rrezikun nga krijimi i sëmundjeve të zemrës. Kualiteti i keq i gjumit nuk e lejon trupin të rregullojë tensionin e gjakut i cili është i lidhur me trashjen dhe rrit rrezikun nga krijimi i sëmundjeve kardiovaskulare.

Gjumi i tepërt po ashtu mund të shkaktojë probleme. Rezultatet e hulumtimit kanë treguar që njerëzit të cilët flenë më shumë se 8 orë çdo natë, kanë rrezik më të madh për të zhvilluar bllokim të artereve që e furnizojnë zemrën me gjak dhe oksigjen.

Gjumi është një nga nevojat themelore biologjike. Gjumi ka ndikim të madh në sjellje, disponim dhe shëndet. Me gjumë kualitativ mund të përmirësojmë çdo fushë të jetës, ndërsa me gjumë jokualitativ mund edhe ta përkeqësojmë.

Pasi që shoqëria jonë gjithnjë e më shumë është duke u bërë aktive 24 orë në ditë, edhe numri gjithnjë më i madh i njerëzve që vuajnë nga çrregullimet e gjumit është duke u rritur dhe janë të detyruar të adaptojnë shprehitë e panatyrshme të gjumit.

Njihuni me simptomat e sasisë shumë të vogël të gjumit dhe ndryshoni shprehitë e gjumit në kohë:



Shpesh jeni të mërzitur – Ngase dhe imtësia më e vogël ju pikëllon ose ju bën të qani, është e mundshme që nuk flini sa duhet. Shkencëtarët kanë konstatuar që mungesa e gjumit redukton aftësinë e trurit që në mënyrë racionale t’i gjykoni situatat.

E gjithë kjo mund të shkaktojë ndjenjën e pikëllimit apo mërzitjes për shkak të imtësive më të vogla, ndërsa ndonjëherë njerëzit ndihen keq pa ndonjë arsye. Nëse e vëreni këtë simptomë dhe nuk kalon në periudhën prej disa ditësh, me siguri është fjala për sasinë shumë të vogël të gjumit.

Mungesa e koncentrimit – Shkencëtarët kanë dëshmuar që mungesa e gjumit shkakton edhe mungesë të koncentrimit. Me një hulumtim është dëshmuar që mjekët, të cilët shpesh i bëjnë ndërrimet e natës, shpesh i interpretojnë gabimisht rezultatet e testeve mjekësore. Përgjumja zvogëlon mungesën e trurit për t’u fokusuar në periudhë më të gjatë, vështirëson të kuptuarit dhe përvetësimin e informatave të reja.

Shpesh jeni të sëmurë – Të gjithë rreth jush kanë shmangur gripin ose ftohjen këtë dimër apo jo? Kushtoni vëmendje shprehive të gjumit. Nëse nuk flini mjaftueshëm, sistemi i imunitetit do të dobësohet dhe nuk do t’ju mbrojë në mënyrë kualitative nga viruset dhe bakteret. Përveçqë do të sëmureni më lehtë, edhe shërimi do të zgjasë më gjatë.

Ndryshime në apetit – Të gjithë jemi të ndryshëm, madje edhe në mënyrën se si përgjumja ndikon në apetitin tonë, kurse asnjëra mënyrë nuk është e shëndetshme, transmeton Telegrafi. Mungesa e gjumit ndikon negativisht në balancën hormonale. Për disa persona kjo do të thotë që do të hani më shumë se zakonisht, ndërsa disa nuk do të kenë aspak apetit.

Lëkurën e keni të thatë – Gjatë gjumit vjen deri te procesi i regjenerimit të qelizave të trupit, duke përfshirë edhe qelizat e lëkurës. Për lëkurën janë të nevojshme vitamina dhe minerale të ndryshme dhe uji. Pavarësisht konsumimit të duhur të të gjithë nutrientëve, nëse nuk do të flini sa duhet, qelizat e lëkurës nuk do të absorbojnë si duhet nutrientët dhe do të mbetet e thatë dhe e dëmtuar.

Ngathtësia – Përgjumja ndikon në aftësitë e lëvizjes dhe aftësinë e trupit për të reaguar shpejt në stimuj të ndryshëm. Shkencëtarët kanë dëshmuar që numri madh i lëndimeve shkaktohet me ngathtësinë e cila është pasojë e mungesës së gjumit.

Harresa – Nuk ju kujtohet a keni ngrënë kafjall? Me siguri keni nevojë për ndonjë orë më shumë gjumë. Gjumi ndikon në aftësinë e trurit për të ruajtur informata. Po ashtu, luan rol të madh në kujtesën afatshkurtër. Shkencëtarët kanë dëshmuar që studentët kanë rezultate më të këqija të testeve nëse janë pa gjumë.
Shtuar më 12/07/2018, ora 18:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori