U fiksua me vajzën e mitur që pa në park, dënohet me burg shqiptari në Londër: Përndiqte 11-vjeçaren

Një 22-vjeçar shqiptar është dënuar me tetë muaj burg pasi ka përndjekur një vajzë 11-vjeçare në Croydon, në Londrën e Jugut.

Erson Sinaj, i pastrehë në atë kohë, u fiksua pas vajzës së re pasi e pa në një park lokal dhe e ndoqi për 4 ditë.

Sinaj u shfaq në mënyrë të përsëritur në banesën e vajzës. Ai u pikas nga nëna e së miturës, por gruaja besonte se 22-vjeçari kishte ndërmend të vidhte shtëpinë.

E ëma e kuptoi përfundimisht se fiksimi i Sinajt ishte për vajzën e saj.

Pas marrjes në pyetje në polici, Sinaj shprehu besimin se kishte të drejtë të trokiste në derë, duke pretenduar se kishte parë një vajzë që i pëlqente në park.

Ai këmbënguli se mes tyre kishte një pëlqim dhe dashuria ishte e ndërsjelltë dhe se askush nuk mund ta ndalonte që ta ndiqte atë.

Avokati i Sinajt, Afzal Syed-Ali, argumentoi se klienti i tij nuk kishte mundur të komunikonte me familjen dhe fqinjët e viktimës për shkak të një pengese gjuhësore.

Sinaj, pa një adresë fikse, u deklarua fajtor për ndjekje dhe shkaktim të alarmit apo shqetësimit serioz.

Krahas dënimit me tetë muaj burg, Sinajt i është shqiptuar edhe masa e ndalimit që të mos kontaktojë me vajzën apo familjen e saj dhe të vizitojë banesën e tyre./Albeu.com./