Çudit Ilir Meta: Këtu do më keni dhe për 25 vite, Berisha është si Cristiano Ronaldo

Ilir Meta është shprehur se do të vazhdojë të jetë në politikë edhe për 25 vitet e ardhshme.

Komentet Meta i ka bërë teksa ka folur në Report TV në raport me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se nuk do të ketë më kurrë bashkëpunime me të.

Ai shtoi se beteja e tij ka nisur më 25 Korrik dhe do të jetë aty për 25 vitet e ardhshme për të rivendosur demokracinë në vend dhe për t’i dhënë drejtësisë drejtimin e duhur.

“Rama te inceneratorët i ka paratë. 430 milionë euro. I ka te Bashkia e Sarandës te lekët që i ka dhënë grupit për të kënduar te tuneli. Këtu jemi në kuadrin e shoët. Të gjitha ndërtimet që janë lejuar të bëhen pa leje nuk janë të rastësishme

Ai shikon të gjitha katet e 50 katsheve që janë bërë me leje dhe pa leje që i ka firmosur vetë në mes të Tiranës ku ai është gjithë ditës. Jemi në kuadër të shkatërrimit të barazisë para ligjit. Qytetarëve u bëhet e pamundur për të ndërtuar një oborr shtëpie dhe këtu u lejohen.

Nuk mund të ketë më bashkëpunime me zotin Rama. Kjo është shumë e qartë. Një njeri që shkel në mënyrë të përsëritur interesin kombëtar. Një njeri që provokon pavarësinë e Kosovës kur ata kanë nevojë më shumë se kurrë. Beteja ime sapo ka filluar. Në 25 vite do të jem këtu për të rivendosur demokracinë dhe për t’i dhënë drejtësisë drejtimin e duhur”, tha Meta.

Meta ka mohuar zërat se ai do të marrë drejtimin e opozitës në vend. I ftuar në emisionin “Kontrast”, Meta deklaroi se ai është i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjithë faktorët e opozitës, teksa përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me kryeministrin Edi Rama.

Teksa u ndal tek ish-kryeministri Sali Berisha, Meta u shpreh se ai është si Cristiano Ronaldo, pavarësisht moshës, është në formën më të mirë.

“Këto janë në kuadrin e diversioneve të Rilindjes. Një politikan që u shfaq si Lulzim Basha kishte energji vetëm për të gënjyer dhe jo për të mbajtur premtimet. Për të parë interesin e tij personal dhe jo kombëtar, jo forcës politike që trashëgoi.

Dihet që në rastin e zotit Berisha, është si të flasim për moshën e Ronaldos ndërkohë që është më në formë se kushdo tjetër.

Qëllimi im nuk është as të kthehem në politikë aktive, as për të marrë lidershipin e opozitës. Qëllimi im është përmbusjha e një misioni që jam thërritur.

Më ka thërritur 25 prilli. Unë në 26 e kam bërë të qartë se kur të mbaroj mandatin do rikthehem. 25 prilli ishte akti final për shuarjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Do bashkëpunoj me të gjithë faktorët e opozitës, që nuk duan të jenë peng e një shteti që nuk ekziston. Sot kemi parë vogëlush dhe parashkollorë që dolën në grevë përpara Kryeminsitrisë.

Fëmijë që prindërit kanë paguar lekët për një kopësht model. Ai në mënyrën më arbitrare i nxjerr ata në rrugë. Skenat që kemi parë sot kanë qenë tronditëse. Në vend të atyre prindërve, mund të ishin të tjerë. Këtu është rrëzuar siguria juridik”, tha Meta.