Berisha për vdekjen e Lear Kurtit: Ardi Veli gënjeu shqiptarët, autopsia u krye në kundërshtim me ligjin për të fshehur krimin

Kreu i PD-së Sali Berisha, në një konferencë për mediat është ndalur te vdekja e Lear Kurtit, ku thotë se pamjet e publikuara nga emisioni “Piranjat” treguan se Ardi Veliu (kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore) gënjeu shqiptarët.

Më tej ai tha se Kurti u vra nga policët dhe se autopsia u bë në kundërshtim me ligjin, pa praninë e familjes apo avokatit, me qëllim fshehjen e krimit.

“Gazetarët kanë bërë investigime, kanë sjellë fakte dhe prova shteruese për mbytjen e Lear Kurtit, të riut 32-vjeçar, nga banditë me uniformë të droguar. ‘O noke, më mbytën’, ishte klithma para se të jepte shpirt, sipas dëshmitarit të pranishëm në vendngjarje dhe mikut të Lear Kurtit.

Investigimet serioze të rrjeteve televizive hodhën poshtë si trillime të turpshme pretendimet e Edi Ramës dhe Çuçit të tij të familjes, hodhën poshtë trillimet, manipulimet dhe inskenimet e një krimineli me uniformë të pashoq në radhët e policisë shqiptare, Ardi Veliu, i cili për të mbrojtur padronët e tij si puthadorë, përdhosi dhe vrau për së dyti Lear Kurtin.

Filmimet e publikuara në media mbi Lear Kurtin treguan se një bandë prej katër policësh u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore. Këto filmime faktuan se Ardi Veliu, ky mashtrues i paskrupullt, gënjeu shqiptarët kur deklaroi se Lear Kurti po qëndronte para një objekti për të krijuar përshtypjen se ai po përgatitje për një akt kriminal, në një kohë kur ai po ecte i vetmuar, duke biseduar në telefon me mikun apo familjarët e tij, Një mashtrim i paskrupullt i policisë u hodh poshtë se, sipas tyre patrulla ka prej dy policësh, e ndaloi atë. Pranë tij, barbaria tirania që ushtrua në rrugë, ishin të paktën 4 në mos më shumë policë e banditë me uniformë. Të dhënat kanë faktuar se trupi i tij kishte hematoma, ekspertë mjekoligjorë denoncuar kryerjen e autopsisë në kundërshtim me ligjin, për të fshehur krimin.

Nuk ka asnjë dyshim se Lear Kurit ia morën shpirtin xhelatët me uniformë. Pasi i morën shpirtin e dërguan në spital, pas dërgimit në spital i bënë autopsinë pa praninë e familjarëve apo avokatin e tij. Një akt i tillë mund të ndodhë vetëm në diktatura. Ata nuk do mund të vënin kurrë mashtrime dhe trillime, se ishin dy, se po qëndronte i dyshimtë para një lokali, se e dërguan në spital të gjallë, se nuk kishte shenja, ndërkohë e ëma e gjen me hematoma nga koka te këmbët. Nëse këta donin të zbardhin të vërtetën për një 32-vjeçar që i morën shpirtin, këta kurrë nuk mund të shkelin procedurën struket të investigimit për raste të ngjashme, që kërkon të paktën 12 orë të lihet kufoma e të ndjerit dhe më pas të bëhej autopsia dhe kurrë me një hetues të vetëm, por nga një grup ekspertësh të betuar për të thënë të vërteten për gjetjet e tyre. U bënë me urdhër të Ramës dhe Çuçit. Me urdhër të tyre u deklarua viktima delinkuent”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 24.10.2022 12:20