Çfarë ndodhi? Arrestohet daja i Butrint Imerit

Besnik Berisha, avokati i njohur në Kosovë, i njohur nga publiku si daja i këngëtarit të famshëm Butrint Imeri ka përfunduar në pranga.

Prokuroria Themelore e Ferizajt njoftoi për realizimin e një aksioni ku janë kontrolluar shtëpitë dhe lokalet e gjashtë personave. Në këtë aksion janë arrestuar katër persona, ndër ta edhe avokati Besnik Berisha.

Ndërsa për të arrestuarit e tjerë prokuroria ka dhënë vetëm inicialet e tyre, bëhet fjalë edhe për N.Xh., I.S., dhe R.C.

Këta persona dyshohet se kanë kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së.