Si të kujdeseni për gjinjtë tuaj, në varësi të moshës që keni
Si për çdo sëmundje, edhe në rastin e kancerit të gjirit, parandalimi është shumë më mirë sesa kurimi. Për t’u kujdesur për gjinjtë tuaj, në varësi të moshës dhe problematikave të tjera, gjeni në vijim një udhëzues që këshillohet nga specialistët e fushës.

1 – Vetëkontrolli mujor i gjirit

Vetëkontrolli mujor i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo grua mund ta bëjë pa shumë mundim; me lëvizje rrotulluese me dorë kontrollohen me radhë gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullave. Vetëkontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet 1 herë në muaj që nga mosha 20 vjeç. Periudha më e përshtatshme është disa ditë pas menstruacioneve. Mjaft raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë.

2 – Ekzaminimi klinik i gjirit

Ekzaminim klinik i gjirit është një kontroll i gjirit i kryer nga një personel mjekësor i trajnuar, i cili mund të kapë kancerin në stade të hershme. Ekzaminim klinik i gjinjve rekomandohet të bëhet 1 herë në vit ose së paku çdo 2 vjet.

3 – Mamografia

Mamografia kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme. Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte më e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm si p.sh. 3-4 ditë mbas menstruacioneve. Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë.

4 – Eko e gjirit

Eko rekomandohet për ato gra që kanë gjinj të dendur, kanë dëmtim që nuk interpretohet qartë me anë të mamografisë, kanë mbushje të gjirit me silikon dhe vetëm pak ind mund të përfshihet në mamografi, si edhe ato që nuk mund të ekspozohen ndaj rrezeve X (gratë shtatzëna).

Rekomandime mbi moshën, rrezikun dhe shpeshtësinë e depistimit për kancerin e gjirit

A. Gratë që nuk kanë asnjë faktor rreziku, kanë një rrezik mesatar për të zhvilluar kancer gjiri. Atyre u rekomandohet:

1) Nëse janë 20-40 vjeç:
- Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo tre vjet.
- Vetëkontroll mujor i gjirit

2) Nëse janë 40-50 vjeç:
- Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit
- Vetëkontroll mujor i gjirit

3) Nëse janë 50-70 vjeç:
- Mamografi çdo 2 vjet
- Ekzaminim klinik te personeli mjekësor çdo vit
- Vetëkontroll mujor i gjirit

B. Gratë që kanë disa faktorë rreziku (si histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, fillim të hershëm e mbarim të vonshëm të menstruacioneve, moslindje ose lindje mbi moshën 30 vjeç, obezitet, ind gjiri të ngjeshur dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik) kanë një rrezik më të lartë se mesatarja për kancer gjiri. Atyre u rekomandohet:

- Ekzaminim klinik i gjirit te personeli mjekësor çdo vit
- Konsultë me specialistin e gjirit
- Mamografi (dhe EKO nëse është e nevojshme) çdo vit nga mosha 40 vjeç
- Vetëkontroll mujor i gjirit

C. Grave që kanë faktorë gjenetikë, kancer gjiri te një familjar mashkull, kancer gjiri dhe kancer vezoresh në të njëjtin person, në dy ose më shumë familjarë të ngushtë u rekomandohet:

- Ekzaminim klinik i gjirit çdo gjashtë muaj
- Mamografi dhe/ose rezonancë magnetike çdo vit nga mosha 25 vjeç
- Konsultë me specialistin e gjirit dhe specialistin gjenetik
Shtuar më 20/10/2020, ora 14:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori