Çfarë është blerë më shumë online gjatë vitit të fundit?

Pse e keni përdorur internetin në vitin 2021, çfarë kanë blerë më shumë burrat dhe gratë?

INSTAT raportoi sot se, rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë vitit 2021, nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, treguan se e përdorin internetin 79,3 % e popullsisë, nga të cilët 91,7 % e përdorin çdo ditë. 98,7 % e individëve kanë përdorur aparat celularë / telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet.

Ndërkohë 22,8 % e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe 8,8 % nëpërmjet tabletit. 98,3 % kryejnë thirrje / video thirrje (përmes Skype, Viber, ËhatsApp) dhe ky tregues ka shënuar rritje prej 2,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

21.4 % e popullsisë 16-74 vjeç bënë blerje online

Blerjet “online” i referohen porosive të mallrave ose shërbimeve nëpërmjet internetit, blerjen e tyre nëpërmjet internetit (e-blerje) për qëllime personale nëpërmjet çdo lloji pajisjeje (desktop, i lëvizshëm ose i dorës, përfshirë telefonin celular ose telefon smart).

Blerjet “online” janë kryer nga 21,4 % e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç “në 12 muajt e fundit”, nga momenti i kryerjes së intervistës, tregues i cili ka shënuar një rritje prej 1,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

Ndër blerjet “online”, produktet / shërbimet që zënë peshën më të madhe janë rroba / këpucë / aksesorë me 88,9 %, të cilat kanë treguar një rritje nga viti 2020 me 4,1 pikë përqindje. Gjithashtu edhe në vitin 2021, rritjen më të lartë e kanë shënuar blerjet “online” për “ushqime / pije nga dyqanet apo ofruesit” me 4,7 pikë përqindje.

Burrat blejnë ushqime me internet, gratë veshje

Përdorimi i internetit në vitin 2021 si për burrat edhe për gratë shënon vlerat më të larta për kategorinë “gjatë 3 muajve të fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, duke shënuar rritje prej 7,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020. Gjatë vitit 2021, 80,3 % e burrave dhe 78,3 % e grave të grup-moshës 16-74 vjeç janë përdorues të internetit “gjatë 3 muajve të fundit

Shpeshtësia e përdorimit të internetit sipas ndarjes gjinore, tregon se përdorimi i internetit “çdo ditë / pothuajse çdo ditë” dominohet nga burrat me 50,7 %, ndërsa përdorimi i tij “të paktën një herë në javë” dominohet nga gratë me 53,1 %.

Sa i përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë, gjatë vitit 2021 gratë kanë kryer më shumë blerje për: “produkte për kujdes personal (kozmetikë, etj)”, “produkte për fëmijë apo lodra për ta” si dhe “produkte shtëpiake”.

Ndërkohë burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për: “të mira dhe mallra sportive”, “shërbimet e ushqimit nga restorante / fast-food apo shërbimet katering” si dhe “ushqime apo pije nga dyqanet/ofruesit e ushqimit”.


Shtuar 16.12.2021 12:43