Audio për 21 janarin, Hoxha batuta para Policisë: Jam veshur me triko leshi e pallto, i përgatitur të qëndroj gjatë

Gazetari Artan Hoxha ishte sot në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku dorëzoi audio-përgjimet e publikuara një itë para 12-vjetorit të 21 janarit, në të cilat dëgjohen oficerët e gardës duke dhënë dhe marrë urdhra për të vrarë protesuesit.

Në një prononcim për mediat pasi bëri deklarimin e tij, Hoxha e nisi me humor duke thënë se ka ndjekur këshillën e avokatit Maks Haxhia dhe është veshur trashë për të qëndruar gjatë në polici.

“Duke ndjekur fjalën e avokatit Maks Haxhia për tu veshur trashë në kohë dimri këtu, unë jam veshur me triko leshi, pallto, jam i përgatitur për të qëndruar gjatë”, tha ai.

Ndërkohë, ai theksoi faktin se nuk ka ende një autor për vrasjet e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Hoxha tha se ish-kryeministri Berisha duhet të japë një përgjigje sepse tashmë është e qartë që Garda ka vepruar me urdhër për të ekzekutuar qytetarë të pafajshëm.

“Fakt është se 12 vite pas ne kemi dy të vrarë në bulevard, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën që janë ekzekutuar para kamerave dhe janë pa autorë. Sot ajo që duhet të jepet përgjigje nga ish-kryeministri i kohës që vazhdon me variantin e vjetër që Garda ka zbatuar ligjin për përdorimin e armëve, ndërkohë ajo që kam nxjerrë unë së fundmi tregon se Garda jo vetëm nuk ka zbatuar ligjin por ka ekzekutuar qytetarë të pafajshëm me urdhër, qytetarë që kanë qenë përtej trotuarit.Aleks Nika është ekzektuar te kullat, përballë kryeministrisë, nuk ka qenë as brenda në bulevard.

Sa kohë këto vrasje janë pa autor,dhe dy vajzat e Aleks Nikës nuk kanë një përgjigje kryeministri i kohës Sali Berisha dhe kryeministri që është sot Edi Rama duhet tu japin një përgjigje atyre. Ajo që duhet të marrë përgjigje është kush e ka vrarë Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën? Tani dimë se kush e ka vrarë Ziver Veizin.

Edhe ajo video që unë nxora në 21 janar nuk u cilësua provë por shërben si indicie për të çuar te prova. Pamja dëshmoi se nga automatiku i Shefit të Shtabit Agim Llupo ishte qëlluar Ziver Veizi, rrëzoi gjithë alibinë e Sali Berishës”, tha Hoxha. /albeu.com

 


Shtuar 23.01.2023 17:48