“Nuk bëjmë kompromise”, Bardhi: 17 deputetë do të bojkotojnë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi për mediet se 17 deputetë demokratë nuk do të marrin pjesë nesër në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Sipas tij mbledhja e Këshillit Kombëtar shkel statutin dhe kompetenca e sekretarit të përgjithshëm duke ua kaluar ato disa prej zyrtarëve që nuk kanë asnjë përgjegjësi për organizimin e partisë.

Bardhi tha se kjo gjë po dëmton PD-në. Ai tha se ndarja brenda partisë i intereson vetëm kryeministrit, Edi Rama.

“Të enjten u deklarua mbledhja e këshillit kombëtar në datë 20. E mbështeta menjëherë por nuk kisha njohur përmbajtjen konkrete të tij. Jam këtu të deklaroj se vendimi bie ndesh me statutin e PD-së. Vendimi i kryesisë i heq kompetencat e sekretarit të përgjithshëm duke ua kaluar zyrtarëve që nuk kanë asnjë përgjegjësi për organizimin e partisë. Sipas rregullores së këshillit, njoftimi për mbledhjen e Këshillit Kombëtar është kompetencë e sekretarit të përgjithshëm. Pas konsultimit me kolegët e grupit parlamentar, 17 anëtarë të grupit vendosën mospjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar”, tha Bardhi./albeu.com/


Shtuar 19.06.2023 15:43