Si lidhen anemia dhe metabolizmi i hekurit me përkeqësimin e infeksionit COVID-19
Studimi (Kliko) i sapo publikuar në revistën shkencore Euroepean Journal of Epidemiology, të grupit prestigjioz Springer-Nature, është meta-analiza/rishikimi sistematik i parë i llojit të vetë, që hulumton në detaje dobinë klinike të anemisë dhe metabolizmit të hekurit për infeksionin COVID-19.

Bazuar në të dhënat e më shumë se 180 studimeve në katër kontinente dhe duke analizuar të dhënat për rreth 58,000 pacientë me COVID-19, autorët gjetën nivele të përgjithshme të hemoglobinës 12.97 g/dL, niveli së cilës reduktohej me rritjen e moshës, rritjen e proporcionit të sëmundjeve bashkë-shoqëruese dhe ashpërsinë e sëmundjes. Gjithashtu u identifikuan nivele patologjike të ferritinës, më të shprehura te pacientët meshkuj, të moshuar dhe individët hipertensiv.

Nivelet e ferritinës kishin gjithashtu ndryshime madhore ndërmjet niveleve të ashpërsisë së infeksionit COVID-19 dhe atyre të cilët humbën jetën – duke provuar dobinë potenciale prognostike të këtij treguesi. Përveç kësaj, krahasuar me pacientët me COVID-19 të moderuar, pacientët me ashpërsim të infeksionit kishin nivele më të ulëta të eritrociteve (rruazat e kuqe te gjakut) dhe më të larta të gjeresisë së shperndarjes së vlerave të eritrociteve (variacioni i madhësisë së eritrociteve).

Duke u bazuar në këto gjetje autorët ndërtuan një model mekanistik për rrugët potenciale mbi metabolizimin e hekurit dhe efektet sistemike e fizpatologjike te pacientët me COVID-19. Bazuar në gjetjet e studimit ekzistojnë potencialisht dy rrugë metabolike, nëpërmjet të cilave metabolizimi i hekurit mund të influencojë fizpatologjinë e COVID-19

(Rruga 1) Virusi shkakton hipoksemi përmes efekteve dëmtuese të drejtpërdrejta mbi sistemin respirator, gjë që modulon përgjigjen inflamatore, duke cuar në anemi;

(Rruga 2) Sistemi imunitar i lindur synon të reduktojë bio-disponueshmërinë e hekurit për të parandaluar një ngarkesë virale në rritje në fazën akute të nfeksionit, pasi ky sistem ‘konkurron’ me patogjenin për hekur. Kjo e fundit con në aktivizim të hepcidinës, sekuestrim të hekurit brendaqelizor, rritje të nivleve të ferritinës dhe rënie të hemoglobinës, duke kulminuar me hipoksemi.

Ky punim është një kontribut për Dekadën e Aksionit ndaj Nutricionit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /panorama


Shtuar më 21/08/2020, ora 21:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori