Izraeli bën gati ushtrinë, sulm ndaj Iranit

Nga Valerio Chiappaino “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Atyre që thonë se nëse veprojmë kundër Iranit, kjo do të çojë në konflikt, unë u përgjigjem se nëse nuk e bëjmë do të shpërthejë një luftë e tmerrshme bërthamore!”. Një fjalim historik ai i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që në mars iu drejtua drejtpërdrejt popullit iranian për herë të parë në një intervistë dhënë për kanalin në gjuhën angleze “Iran International”, duke evokuar kërcënimin e një Holokausti atomik.

Fjalët e kryeministrit Netanyahu ishin në të njëjtën linje me mesazhin që iu dha kreut të Pentagonit Lloyd Austin që vizitoi Izraelin, ndërsa ambasadori i Azerbajxhanit mohoi zërat, sipas të cilave vendi i tij kishte autorizuar përdorimin e njërës prej bazave të tij për të ofruar mbështetje logjistike për avionët izraelitë në një mision të mundshëm ushtarak kundër Teheranit.

E shpërqendruar nga lufta rraskapitëse në Ukrainë, bota e informacionit dhe opinioni publik ndërkombëtar, duket se nuk i ka hapur ende sytë ndaj perspektivës së një përshkallëzimi të afërt bërthamor në Lindjen e Mesme. Alarmi më i fundit u dha në shkurt nga drejtori i CIA-s, William Burns, sipas të cilit Irani “është vetëm disa javë larg pasurimit të uraniumit në nivelin 90 për qind por edhe më tej”, një nivel ky i mjaftueshëm për të ndërtuar një armë bërthamore, ndonëse “mbetet ende shumë larg në termat e aftësisë për të zhvilluar një armë”.

Ndërkohë një tjetër ngjarje e bujshme, shkrirja e akujve mes Arabisë Saudite dhe Iranit me ndërmjetësimin e Kinës, rrëmbeu për disa javë vëmendjen nga ajo që po ndodh në Evropën Lindore.

Ndonëse gjithçka mbetet të shihet në praktikë në muajt në vijim, ky afrim u përshëndet pozitivisht nga kancelaritë perëndimore dhe madje edhe Shtëpia e Bardhë e vuri theksin tek skenarët pozitivë që mund të krijojë një ulje e tensioneve në rajon.

Por reagimi i politikës izraelite ishte i lloji tjetër, i përmbledhur më së miri nga deklarata e liderit të opozitës Yair Lapid, i cili e përkufizoi marrëveshjen Iran-Arabi Saudite si “një dështim total dhe i rrezikshëm i qeverisë izraelite, dhe një shembje e murit mbrojtës që kishim filluar të ndërtonim kundër Iranit”.

Aludimi ishte për Marrëveshjet Abrahamike, përmes të cilave Netanyahu synonte të integronte Arabinë Saudite dhe sipas “New York Times” dhe “Wall Street Journal”, në

prag të marrëveshjes së nënshkruar në Pekin midis Riadit dhe Teheranit, kishin përparuar negociatat për anëtarësimin e saj në këtë pakt.

Dhe është shumë interesant fakti që si Izraeli po ashtu edhe Irani po përballen në këto momente me trazira të mëdha sociale. Në rastin e parë për shkak të reformës së diskutueshme në sistemin e drejtësi, e cila edhe pse e pezulluar, nuk pengoi javën e 17-të të protestave.

Në të dytin për shkak të trazirave të nisura pas vdekjes së Mahsa Amini, 22-vjeçares që humbi jetën ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit për mos-mbajtjen e duhur të hixhabit. Brishtësia politike e Izraelit reflektohet edhe në politikën e tij të jashtme.

Sipas zërave që u bën jehonë kanali televiziv izraelit Channel 12, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ka deklaruar një pezullim të çdo bashkëpunimi me Tel Avivin derisa Netanyahu të rimarrë kontrollin e qeverisë. Edhe pse këto thashetheme u mohuan menjëherë nga vetë Netanyahu, është e qartë se ekzekutivi vazhdon të projektojë imazhin e një destabiliteti të madh.

Në këto kushte forcohet hipoteza se për të rivendosur situatën nën kontroll, kryeministri izraelit mund të vendosë të ndërpresë çdo lloj negociate për një marrëveshje me Iranin, duke i dhënë dritën jeshile një sulmi parandalues ​​ndaj centraleve bërthamore të vendit shiit.

Po sipas Channel 12, Netanyahu së fundmi drejtoi të paktën 5 takime me zyrtarë të lartë të sigurisë për të diskutuar detajet e një sulmi të mundshëm, dhe informoi për këto plane Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Anthony Blinken, këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka shpallur një “vijë të kuqe”, duke deklaruar se nuk do të lejojë tejkalimin e nivelit 90 për qind të kufirit të pasurimit të uraniumit. Shqetësimin më të madhe e përbën impianti Fordow, afër qytetit Qom, një nga 3 objektet e prodhimit bërthamor, ku Teherani i pasuron grimcat e uraniumit deri në masën 87 për qind.

Për Netanyahun, lufta kundër programit bërthamor iranian është një çështje gati personale. Nuk është hera e parë që kryeministri nxit idenë e ndërhyrjes ushtarake kundër vendit të ajatollahëve. Ish-kryeministri dhe ministri i mbrojtjes Ehud Barak, ka zbuluar së fundmi se Netanyahu u detyrua të anulonte planet e sulmit në vitet 2010 dhe 2011.

Një operacion i ngjashëm u refuzua edhe në vitin 2012, sepse në atë kohë Izraeli ishte i përfshirë në stërvitje ushtarake me amerikanët, dhe donte të shmangte një përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake të Uashingtonit kundër Teheranit. Në vitin 2010 ishte Shefi i Shtabit Gabi Ashkenazi, ai që bllokoi planet ushtarake në një operacion të kufizuar duke thënë se Tsahal (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) nuk ishin gati për operacionin, qasje që pati mbështetjen e disa ministrave.

Makthi bërthamor ka qenë gjithmonë në qendër të shqetësimeve të Izraelit. Në fakt, forcat ajrore izraelite ndërhynë në qershorin e vitit 1981 përmes Operacionit Babiloni duke bombarduar reaktorin Osirak në Irak, dhe në shtator 2007 me Operacionin Orshard duke shkatërruar një reaktor në ndërtim në Al Kibar të Sirisë.

Por precedentë të tillë nuk janë asgjë në krahasim me kompleksitetin e një operacioni të madh për të ndaluar njëherë e mirë programin bërthamor të Iranit. Shumë nga objektivat e mundshëm ndodhen midis 1.500-1.800 km larg bazave izraelite, por forcat e Tsahal thuhet se kanë bërë përparime të rëndësishme vitet e fundit.

Sipas gazetës “Jerusalem Post”, avionët izraelitë F-35 mund të kryejnë sulmin pa pasur nevojë për furnizim gjatë fluturimit. Dhe gjatë vitit të kaluar, Forcat Ajrore Izraelite kryen të paktën 4 simulime sulmesh në shkallë të gjerë. I pari testoi radarin dhe sistemin e paralajmërimit, ndërsa i fundit është i ngjashëm me atë që mbron instalimet bërthamore.

Simulimet e tjera do të fokusohen tek misionet luftarake ajrore dhe masat e mbrojtjes kundër sistemeve të sulmit elektronik. Në fillim të këtij vitit, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan stërvitjen më të madhe të përbashkët ushtarake në Mesdheun Lindor.

Gjatë një vizite në Teheran drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, uli disi tensionet duke folur për përparim në bisedime dhe për “diskutimet konstruktive” mbi programin bërthamor iranian.

Por këtë herë duket se larja e hesapeve mund të jetë vetëm çështje muajsh në mos javësh, dhe se një qeveri në grahmat e një krize të paprecedentë, mund të përpiqet të dalë prej andej duke vënë bast gjithçka mbi mundësinë e një suksesi të madh në politikën e jashtme. Një bast ky i rrezikshëm, që do të përfaqësonte hapjen e një fronti të ri të luftës, me rezultate të paparashikueshme dhe rreziqe shumë të mëdha, dhe jo vetëm për Izraelin. /albeu.com


Shtuar 6.05.2023 11:08