Shijoni një mëngjes vegan, 2 receta të thjeshta për ju
Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Një mëngjes i shëndetshëm do t’ju japë fuqi e energji për ditën.

Shumë doktorë këshillojnë dietën vegane si më të mirën për një jetë të gjatë e një stil jetese të shëndetshëm. Unë jam vegane prej thuajse një viti, ndihem më mirë se kurrë ndonjëherë dhe do mundohem që çdo javë të ndaj me ju fakte mbi veganizmin apo receta.

E në qoftë se gjithmonë keni dashur të provoni diçka vegane por nuk keni ditur si dhe çfarë, atëherë ja ku po ju sjell 2 ide të një mëngjesi vegan të thjeshtë e të shijshëm, nga blogu The Green Plate:

1.Tërshërë


1 filxhan tërshërë

½ filxhan me qumësht soje/orizi/arre kokosi (sipas dëshirës)

1 lugë fara chia

1 lugë ekstrakt vanilje

1 lugë shurup panje

1 banane

Përgatitja: Fusni të gjithë përbërësit, përveç tërshërës, në blender. Bashkojini më pas në një tas, bashkë me tërshërën. E mira është që këtë vakt ta përgatisni një natë më parë e ta lini në frigorifer, por dhe në qoftë se e konsumoni menjëherë do t’ju shijojë. Mund të shtoni dhe fruta të thata.


2. Pancakes vegane


1 ½ filxhan miell

3 ½ sodë buke

2 lugë sheqer

1 lugë kripë

1 filxhan qumësht soje

2 lugë uthull molle

1 banane

½ filxhan ujë

3 lugë vaj kokosi

½ lugë ekstrakt vanilje

Përgatitja: Përzieni bashkë qumështin dhe uthullën e mollës e lërini mënjanë për pak minuta. Shtypni bananen. Në një tas të madh, përzieni me njëri-tjetrin miellin, sodën e bukës, sheqerin dhe kripën. Në një tas tjetër të vogël, përzieni ujin, vajin e kokosit dhe ekstraktin e vaniljes. Hapni një ‘pus’ në përbërësit e thatë dhe shtoni ato të lëngshëm. Pasi i keni përzier ato bashkë, shtoni dhe bananen e shtypur. Në një tigan për pancakes, hidhni ¼ filxhan të masës së përgatitur. Mund t’i shtoni dhe fruta e shurup panje për shije.

Shtuar më 02/07/2020, ora 08:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori