Rrumbullaku takohet me drejtuesin e Interpolit më Francë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka shkuar në një vizitë zyrtare në Lyon të Francës.

Rrumbullaku u prit në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (Interpol), Jurgen Stock.

Gjatë takimit miqësor u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, gjetja e formave më efikase që ky bashkëpunim të forcohet më tej, për të arritur rezultate edhe më të mira në luftën ndaj sfidave globale, në fushën e luftës kundër kriminalitetit, veçanërisht kundër narkotikëve, trafiqeve, pastrimit të parave, krimit kibernetik etj.

Drejtori i Përgjithshëm falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm, për mbështetjen që Interpol ka dhënë dhe jep në bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe e njohu atë me ristrukturimin që po kalon Policia e Shtetit, me qëllim krijimin e strukturave efikase që i përgjigjen sfidave aktuale, rritjen e nivelit të trajnimit të efektivëve të Policisë dhe për një qasje të re në raportin me qytetarët.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm u shpreh se një nga mënyrat me efiçente për të goditur kriminalitetin dhe sidomos krimin e organizuar janë grupet e përbashkëta hetimore me ekspertët përkatës nga vende të ndryshme që përfshihen në çështjet në hetim, ku Interpol mund të luajë një rol deciziv.

Ai solli në vëmendje gjithashtu se lufta kundër krimit të organizuar kërkon hetim pasuror dhe sekuestrim asetesh, që të arrihet sukses.

Sekretari i Përgjithshëm shprehu mbështetje për qasjen e Drejtorit të Përgjithshem në lidhje me reformat në Polici dhe sidomos në trajnimin policor, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar ku të jetë e nevojshme dhe e përshtatshme. Gjithashtu, ai e vlerësoi Policinë e Shtetit si një organizatë me rëndësi dhe besueshmëri ne arenën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Sekretari i Përgjithshem Jurgen Stock dhe Drejtori Ekzekutiv në detyrë i Shërbimeve Policore të Interpolit, zoti Cyril Gout, shprehën gatishmërinë për mbështetjen në organizimin e takimeve të këtyre grupeve hetimore ndërkombëtare dhe inkurajuan Policinë e Shtetit të propozojë dhe të iniciojë takime të tilla për çeshtjet në interes të Policisë së Shtetit./albeu.com/