Thellohet skandali me koncesionin e sterilizimit, zhduket kontrata origjinale, SPAK: As në arkivë nuk gjendet

Hetimi për aferën me koncesionin e sterilizimit, ka nxjerrë në pah një tjetër skandal. Kontrata origjinale 10-vjeçare e firmosur mes shtetit dhe biznesmenit Ilir Rrapaj të arrestuar për mashtrim ka humbur.

Në dosjen hetimore, SPAK thotë se e ka kërkuar gjithandej, por ajo s’gjendet as në arkivën e ministries.

SPAK ka sot në dorë vetëm një kopje të njehsuar me origjinalin, por jo kopjen origjinale me firmën e ministrit të asaj kohe dhe të biznesmenit të arrestuar.

Kujtojmë se ish zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni i sterilizimeve Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë dollarë të 8 vjet më parë, i cili nga dhjetori 2015 dhe deri sot ngjalli dyshime për korrupsion, shkelje të barazisë në garë dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Gjashtë zyrtarë të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje.

Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka orientuar SPAK-un që të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani si dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur lidhje, dyshime për shkelje ligjore dhe dijeni për këtë koncension.